Pas suksesit me restaurimin e Pazarit Historik të Gjirokastrës, nis një tjetër bashkëpunim i rëndësishëm mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondit Shqiptaro- Amerikan të Zhvillimit në fushën e trashëgimisë kulturore. Parku Kombëtar i Butrintit do të ketë brenda pranverës së vitit tjetër Planin e Integruar të Menaxhimit. Sot është bërë prezantimi i projektit dhe nënshkrimi i kontratës mes AADF-së dhe studios britanike të përzgjedhur për realizimin e planit.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro gjatë fjalës së mbajtur i është rikthyer sërish debatit të rreth një viti më parë për ringritjen në Butrint të qendrës së vogël funksionale, e cila ofron shërbime për vizitorët e këtij siti.

Kumbaro tha se, qendra për të cilën u bë shumë zhurmë, është një pikë pushimi dhe informacioni për të gjithë vizitorët. Sipas saj, ringritja e qendrës, pa cenuar trashëgiminë, pa cenuar arkeologjinë, në përputhje me të gjitha rregullat e ligjet e shtetit shqiptar dhe me rekomandimet e UNESCO-s, ishte e domosdoshme dhe tregon në fakt kujdesin që duhet të kemi ndaj vizitorëve.

“Dhe që të jem e qartë, e kam fjalën për qendrën e vogël funksionale që, nga një barakë plehrash e kthyem në një pikë pushimi dhe informacioni shumë të këndshme, e që çuditërisht, pas gjithë britmave e klithmave me baltë të një viti më parë nga ata që Butrintin e shohin si mollë sherri dhe jo si pasuri kulturore dhe akses për publikun, askush nga 200 mijë vizitorët që kanë frekuentuar parkun nga 1 janari 2018, nuk u ankua e nuk anatemoi! Përkundrazi! Por për këtë do të ishte mirë, që çdokush para se të flasë të shkojë ta vizitojë. Dhe këtu e quaj të mbyllur atë histori të mejhaneve politike banale dhe të makinës së baltës me të cilën përballemi tashmë prej 5 vjetësh sa herë ndërmarrim një nismë të re për ndryshim”, tha Kumbaro.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ringritja e qendrës nisi një vit më parë. Ndonëse pati debat dhe pretendime që po bëhej një ndërtim i ri në shkelje të ligjit, faktikisht objekti ishte aty që prej vitit 1975 dhe dekadat e fundit po shfrytëzohej si depo. Pas rehabilitimit, sot kjo qendër ofron shërbime të ndryshme për turistët.

Për sa i përket planit të ri të menaxhimit, Kumbaro theksoi se përpara nisjes së punës për ndërtimin e planit, ishte domosdoshmëri pasja e një kornize ligjore të konsoliduar, çka u konkretizua në maj të këtij viti kur Parlamenti miratoi ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, ligj për të cilin asistoi gjithashtu edhe AADF-ja.

“Hartimi i këtij plani është një përgjegjësi e madhe. Dhe dua që studioja të jetë e ndërgjegjshme për këtë, ashtu sikurse dua ta siguroj se jemi bashkë në këtë etapë të re të zhvillimit të Trashëgimisë Kulturore. Unë besoj se me Fondacionin po nisim një sfidë të re, shumë të bukur, por që tejkalon kufijtë e vendit, sfidën e menaxhimit të ri të një Trashëgimie Botërore. Gjithashtu ky është një moment për t’i dhënë me qetësi përgjigje, disa pyetjeve, dilemave ose edhe sulmeve, po të doni që janë bërë rreth Butrintit”, tha Kumbaro, duke theksuar gjithashtu se e gjithë puna përgatitore për planin është bërë në komunikim të vazhdueshëm me UNESCO-n.

Sipas ministres së Kulturës, Plani i ri Menaxhimit të Integruar të Butrintit do të adresojë si duhet të gjitha sfidat e kohës me të cilat përballet ky xhevahir i kurorës së trashëgimisë tonë kulturore. Kujtojmë këtu që Butrinti ishte siti i parë shqiptar që u pranua në UNESCO në vitin 1992. Plani i fundit i menaxhimit të tij daton në vitin 2003, por sot ai plan nuk i përgjigjet dot nevojave të kohës, prandaj hartimi i një të riu ishte domosdoshmëri. Numri i vizitorëve në Butrint vetëm gjatë nëntë muajve të këtij viti është rreth 200 mijë persona, ndërsa në vitin 2013 përllogaritej në rreth 80 mijë persona.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb