Ka pasur debat dhe pikëpyetje dje në dëgjesën publike që organizoi Ministria e Kulturës sa i takon draftit të planit të menaxhimit të Butrintit dhe menaxhimit të tij me fondacion të posaçëm.

Në këtë dëgjesë ministrja tha se ka ftuar të marrin pjesë të gjithë palët e interesuara, institucione qendrore, grupet e interesit, ekspertë të fushës dhe përfaqësues të komunitetit. “Jemi të bindur se pjesëmarrja dhe kontributi juaj në këtë dëgjesë do të jetë vlerë e shtuar dhe njëkohësisht dëshmi e angazhimit tonë të përbashkët në mbrojtjen, ruajtjen, menaxhimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Butrintit”,- shkroi MK. Parku Kombëtar i Butrintit zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 9424 hektarësh, ndërsa projekti është përgatitur pikërisht nga Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe Ministria e Kulturës. Ajo që u vu në dukje nga specialistët shqiptarë ishte mospërfshirja e tyre në procesin e hartimin të planit, çka ka sjellë pasaktësi sipas tyre dhe përjashtim të përvojës së tyre. Nga ana tjetër, sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Kulturës tha se si procedurë, ky plan do të kalojë edhe në Këshillin e Ministrave, duke premtuar se do të reflektohen edhe mendimet e gjithë të pranishmëve, pasi t’i jenë dërguar ministrisë me shkrim.

TRYEZA, ME PYETJE E IRONI
Kreu i Institutit të Arkeologjisë rishtroi pyetjet që ka shtruar në takime të mëhershme dhe në një intervistë dhënë “Gazetës Shqiptare” javë më parë, mbi menaxhimit e gjetjeve. “jam i bindur që duhet një menaxhim i ri i gjithë arkeologjisë. Por shqetësimi im është cili do jetë roli i kërkimit shkencor në planin e ri të menaxhimit të Butrintit? Cila do të jetë prezenca e Institutit të Arkeologjisë, e njëjta linjë me gërmimet? Cilat janë rregullat e lojës? Shumë herë përmendet arkeologji e peizazhit, por duhet të jetë termi “arkeologji” që i përfshin të gjitha. Së treti, drafti merr parasysh konservimet në park, por nuk thuhet nëse do t’i paraprijë një gërmim që të kuptohet më shumë. Së fundmi ne kemi depo e asete të institutit atje. Këto krijojnë problematikë që duhet të sqarohet. Ne punojmë me status autonom dhe kjo do të kalojë në Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë”, tha Përzhita. Ai tha se është kërkuar që pjesë e draftit të jetë edhe Ministria e Arsimit. Në përgjigje Përzhitës iu tha nga përfaqësuesi i “Prince and Pearce” që ka hartuar planin, se komentet reflektojnë pikërisht çfrë duhet të ndodhë në Butrint. “Askush nuk po propozon një plan menaxhimi që institutet e përfshira të humbasin përfshirjen. Roli i grupeve të kërkimit është të sjellin gjithë organizatat së bashku. Ne s’mund të themi cila është përgjigja. Ne nuk synojmë asnjë formë të zbehjes së rolit të instituteve dhe proceseve ligjore. Për t’u përgjigjur, cila do jetë roli ruajtja e mozaikëve apo ka prioritete arkeologjike?”

Arkeologu Skënder Muçaj shtroi idenë që Butrinti nuk duhet parë si ishull i izoluar e veçuar duke qenë se lidhjet me komunitetin i ka të pakta. Ai sugjeroi përfshirjen në të të Finiqit, Shëndellisë, manastirit të 40 Shenjtorëve. “Saranda sot është aneks ditor i Korfuzit. Nëse do merrej si model, Butrinti është i veçantë. Sa përfitojmë ne? Butrinti nëse hapen rrugë të reja do ketë dyndje. Si do ta menaxhojmë? Me mbipopullim? Jo. Butrinti duhej të ishte qendra e një parku më të madh. Atë do ta mbrojë komunitetin, ai që përfiton. Butrinti duhej të merrte edhe Kamenicën, fshatin më të rrallë në Mesdhe, i ruajtur jashtëzakonisht mirë. Duhej të ishin 40 shenjtoret. Shqipëria nuk është as Anglia as Franca”,-tha Muçaj. Ministrja Elva Margariti tha se nuk dua të krahasohemi me ato realitete, por duam të jemi edhe më kompetitivë. “Plani nuk e sheh Butrintin si ishull. E sheh parkun si një qendër rrathësh koncetrikë, dhe mendoj në këtë edhe komunitetet përreth. Për mua është i lidhur edhe me zonën dhe me artizanët që janë ende individualë jo të mirëmenaxhuar. Janë të përfshira të gjitha te rekomandimet e planit. Ose me rishikim më të thelluar dhe me një takim më të detajuar do t’i gjejmë përgjigje për pyetjet që shtruat”, tha Margariti. Më pas, Entela Çipa sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, tha se ka nisur një proces i gjatë konsultimi brenda institucioneve shtetërore të administratës publike. “Bazuar në ligjin për trashëgiminë drafti i është dërguar për konsultim edhe UNESCO-s. Lidhur me procesin është bërë punë për hartimin e akteve ligjore e nënligjore. Modelet që janë gjetur dhe konceptuar në këtë ligj kanë ardhur si rezultat i përvojave të mëparshme. Jeni të lutur të dërgoni sugjerimet dhe rekomandimet tuaja. Pas kësaj, pas reflektimit të komenteve të grupeve të interesit dhe të gjitha mendimeve që marrim nga fushata e konsultimit, Plani i Menaxhimit do të miratohet në Këshillin e Ministrave dhe më pas kalon në parlament. Kemi një kërkesë të depozituar për krijimin e fondacionit që të ecë paralelisht me planin e menaxhimit. Fondacion do të jetë i posaçëm dhe në këtë proces parashihet marrëveshja e ministrisë me partnerin strategjik dhe kush mund ta gëzojë këtë status”, tha sekretarja e përgjithshme e ministrisë.

Auron Tare pyeti nëse Butrintin do ta menaxhojë fondacioni dhe më pas ai pyeti nëse ka një konflikt interesi kur partneri financon planin e menaxhimit dhe plani i menaxhimit propozon që të krijohet një fondacion që do të menaxhojë Butrintin? Çipa tha se ka një kërkesë nga një partner. Më pas ai pyeti nëse një fondacion tjetër, për shembull nga Greqia, vjen dhe kërkon të marrë Gjirokastrën, a kemi problem? Ai këmbënguli të dijë nëse Gjirokastrën e merr një fondacion grek. Çka shihej se nënteksti ishte te dhënia e një pasurie kombëtare një fondacioni të huaj.

Për Taren, prezantimi i këtij plani të menaxhimit në aspektin operativ nuk sjell të reja dhe nuk ka shumë ndryshim nga plani i zhvillimit të bërë nga 2003. “Është akademik dhe nuk ka një formulë të qartë të implementimit konkret në terren por thelbi i problemit mendoj unë qëndron kush do ta menaxhojë këtë pasuri botërore? Personalisht kam propozuar një mënyrë të re administrimi duke parë situatën në terren. Një mënyrë larg problemeve të administratës. Krijimi i një fondacioni që menaxhon këtë pasuri të shqiptarëve, por në ndryshim thelbësor nga propozimi i sotëm kam propozuar një fondacion publik shqiptar, i cili vendos marrëdhënie bashkëpunimi me shumë organizma botërore, por jo dorëzimin e menaxhimit një fondi apo rasti të huaj. Ka mjaft modele të suksesshme në Francë, Angli, Izrael etj.

Propozimi i sotëm, i cili ende nuk është i qartë se si do të funksionojë ka qëllim që ky menaxhim t’i jepet një fondacioni të huaj”, tha Tare.
Ministrja tha se do duhej bërë një takim për ato që thuhen në ligjin e ri të trashëgimisë. “Ligji specifikon se çfarë është partneri strategjik dhe hallkat që kalon për t’u cilësuar partner strategjik, përtej ironisë për fondacione greke, nuk është ky thelbi i bisedës, por rruga që hap ligji për të krijuar forma të tjera për të dhënë rëndësi, jetë e mudnësi e artë për sitet e trashëgimisë”.

DEBATI MARGARITI- CEKA
Arkeologu i njohur Neritan Ceka, tha se “nuk kam asgjë me fondacionin, por prodhimi intelektual arkeologjik, janë intelektualë nuk janë këpucë zonja ministre. Ne jemi në Butrint dhe ju nuk jeni, kjo është diferenca që nuk doni ta kuptoni”.

Në përgjigje ministrja Elva Margariti tha se “jemi të dy në të njëjtën tavolinë”.
“Po, por nuk jemi. Keni ndërtuar një mur me mua personalisht edhe vazhdoni. Po ju them edhe njëherë. Nuk e di deri ku shton ideja juaj që të përjashtoni arkeologët shqiptarë nga Bylisi, dhe kjo është e turpshme. Me këtë këshilltare që keni dhe ju flet në vesh, nuk besoj…”

Të plotë e gjeni sot në Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb