Nga: DARINA TANUSHI*
TIRANE – Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi mbështetjen e grupit që ai drejton për projektbuxhetin e përgatitur nga qeveria për vitin 2016. Me gjithë kritikat që deputetët e LSI-së kanë pasur për këtë buxhet, duket se vota do të jetë “pro”, sipas Vasilit.

Në një prononcim për gazetarët, kreu i grupit parlamentar të LSI-së, u shpreh dje se “ne kemi mbështetur dhe mbështesim projektbuxhetin e qeverisë. Çdo përmirësim që lind nga debati parlamentar do jetë i mirëpritur, por nuk është ky një kushti i cili kushtëzon votën tonë në Kuvendin e Shqipërisë. Vota jonë do të jetë në mbështetje të projektbuxhetit i cili bëhet një ligj tashmë operativ për vitin 2016. Dhe të premten do të kemi mundësinë që të diskutojmë në parim këtë projektbuxhet, si i projekton financat e shtetit ky buxhet për vitin 2016, i cili është një vit i rëndësishëm i qeverisjes dhe se si ky garanton qëndrueshmërinë ekonomike të vendit dhe të ekuilibrave makro-ekonomikë. Që në vështrimin paraprak, besoj që edhe në drejtim të qëndrueshmërisë, edhe të ekuilibrave makro-ekonomik, buxheti jep përgjigje pozitive”.

“Ne kemi pasur diskutimet tona, komentet tona. Nuk është çështje kundërshtie, por komentet tona kanë konsistuar në përmirësime të mundshme të cilat mendojmë se qeveria duhet t’i vlerësojë duke parë sigurisht dhe mirëkuptuar edhe ato kufizime apo shtrëngesa që vijnë edhe nga marrëveshja me FMN. Edhe kjo duhet marrë fort në konsideratë, pasi marrëveshja me FMN është një marrëdhënie strategjike. Ne kemi bërë komentet tona, të cilat kanë të bëjnë në përmirësimin e mëtejshëm të strukturës së buxhetit në momente të caktuara, në mënyrë të veçantë çështja e akcizës së birrës që kishte të bënte me një element parimor, që është mbrojtja e prodhimit vendës”, – sqaroi Vasili.

Mandi ai tha se LSI do ta vijojë këmbënguljen për reflektim nga qeveria mbi rritjen e akcizës së birrës vendase. “Çështja e akcizës së birrës kishte të bënte me një element parimor që është mbrojtja e prodhimit vendas. Ne si forcë politike dhe mua si politikan më ka shqetësuar në radhë të parë kjo tronditje sociale që duhet të vinte nga papunësia sesa thjesht nga ekzistenca e një biznesi apo përfitimet nga ky biznes. Buxhetet e shëndetësisë kanë nevojën të jenë gjithmonë e më të mëdha. Në të gjitha rastet ne do të sugjerojmë dhe do të jemi këmbëngulës që të ketë reflektime dhe sigurisht duke e mbështetur pr/buxhetin. Personalisht e kam përkthyer, jo thjesht si një mbrojtje të biznesit vendës, por mbrojtje e disa mijëra vende pune që lidhen me ecurinë e këtij biznesi, i cili në rast se do të hynte në krizë apo fatkeqësisht do të falimentonte do të thoshte që mijëra njerëz shkonin në shtëpi”, – theksoi Vasili.

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së u pyet edhe në lidhje me votat për ndryshimet në Kodin Penal në kuadër të informalitetit. Sipas aleatit të PS, të gjitha qëndrimet dhe ndryshimet kanë ndodhur në sintoni të plotë edhe me PS, ndaj mes tyre nuk ka ndonjë diferencë për këtë”. “Kur themi mazhorancë PS-LSI apo LSI-PS, nuk kemi ndonjë diferencë. Diferenca qëndron vetëm në atë pikë, ku jemi në momentin e diskutimit dhe nuk është se kemi diferenca, pasi rezerva për formulime të caktuara dhe jo për ligje në tërësi, ka pasur edhe nga deputetë të LSI, edhe nga deputetë të PS”, tha Vasili.

Në lidhje me kritikat e deputetit të PS-së, Ben Blushi për rritjen e borxhit publik, Vasili u shpreh: “Çështja e borxhit shqiptar në të shkuarën dhe të tashmen ka qenë nën monitorimin e vazhdueshëm të institucioneve ndërkombëtare”. E sipas Vasilit, kritikat janë “pjesë të komentit politik”, por “në qoftë se raportet FMN apo Bankës Botërore etj., japin alarmin se borxhi është i tillë kritik, unë dhe gjithë LSI-ja apo e gjithë mazhoranca në mënyrë të përgjegjshme do të mblidhej dhe do të diskutonte gjerësisht për këtë çështje.

Në rast se ata thonë në këtë mënyrë si e kemi ideuar mënyrën e ecjes përpara të ekonomisë, ky borxh është një borxh, i cili është i administrueshëm, ka mundësi të ulet me kalimin e kohës, ekonomia do të jetë më e qëndrueshme, atëherë le të kemi besim të plotë tek ata”, – u shpreh kreu i grupit parlamentar të LSI-së.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: