TIRANE- Në kuadër të dëgjesave me qytetarët e Tiranës dhe shoqërinë civile për buxhetin e viti 2016 të Bashkisë Tiranë, grupi i këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Këshillin Bashkiak Tiranë zhvilluan një bashkëbisedim me përfaqësues të shoqërisë civile. Në takimin konsultues me temë “Buxheti 2016 dhe Politikat për fuqizimin ekonomik te Gruas” morën pjesë kryetari i grupit të këshilltarëve të LSI-së, Shezai Rrokaj, Nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Brunilda Paskali si edhe anëtarët e këshillit bashkiak, Erisa Xhixho e Bruno Liço.

Duke folur gjatë takimit, kreu i grupit të këshilltarëve të LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Shezai Rrokaj u shpreh se rritja e rolit të gruas sipërmarrëse ka qenë në fokus të LSI-së.
“Një nga sloganet kryesore të zgjedhjeve të 2015-s të forcës që ne përfaqësojmë ka qenë rritja e rolit të gruas sipërmarrëse. Në këtë drejtim, roli i gruas në tërësi dhe i gruas sipërmarrëse në veçanti të ketë atë vend që i takon në Bashkinë e Tiranës dhe në shoqëri. Hymë si të zgjedhur prej qytetarëve për të përfaqësuar këtë zë të fuqishëm që i takon fushës së vlerësimit të gruas dhe të rolit të saj”, – tha Rrokaj.

Zv. Ministrja e Integrimit dhe njëkohësisht këshilltare e LSI-së, Erisa Xhixho garantoi për mbështetjen e iniciativa që do të vijnë nga gratë për të hapur një biznes apo për të realizuar një projekt, që do të gjenerojë edhe vende të reja pune.

“Kemi lobuar fort për një buxhet rinor, kemi lobuar fort për mundësi të reja për gratë të cilat kanë një aftësi, kanë një ide, kanë një iniciativë dhe të cilat kërkojnë padyshim një mbështetje fillestare për të hapur një biznes dhe për të mbështetur një ide të tyre. Më vjen mirë që kjo do të bëhet së shpejti dhe ne do të jemi aty për ta garantuar këtë gjë. Por gjithashtu do të jemi aty edhe për të parë mënyrën se si do të implementohet së bashku me ju, ai fond që të shkojë për çdo grua, e cila ka vërtet nevojë dhe ka vërtet dëshirë për të hapur një biznes në mënyrë që ajo të shërbejë më pas si një katalizator për të hapur vende të reja pune. Synimi jonë dhe ajo që unë besoj fort është që nëse ne vëmë në lëvizje gjithë këtë burim njerëzor që ka Shqipëria sot, pra gjysmën e Shqipërisë e vëmë në punë dhe e bëjmë pjesë të tregut të punës, absolutisht ky do të jetë çelësi për zhvillimin ekonomik, jo vetëm të Tiranës, por të gjithë Shqipërisë”, – tha Xhixho.

Në vijim të fjalës së saj, këshilltarja Xhixho theksoi se duke u nisur nga kjo qasje, mbështetja e grupit të këshilltarëve të LSI dhe e bashkisë do të jetë në fokus të grave dhe të vajzave të cilat kanë një dëshirë që të hapin një biznes apo të lidhen me tregun e punës. “Duke parë qasjen dhe fuqizimin e gruas në dy drejtime, pra si në fuqizimin ekonomik me mbështetjen buxhetore, me mbështetje financiare që të mos mbeten thjesht në letra apo slogane fushate ku gruaja është shumë e rëndësishme, tani vërtet ne kemi mundësinë që me buxhetin e 2016-s, realisht të kemi një buxhet për gratë të cilat kërkojnë të hapin një biznes apo si t’ia lehtësojmë atyre jetën nëpërmjet shërbimeve të ndryshme, qoftë në investime në shkolla, në çerdhe apo në shërbime të tjera që ofron bashkia”, – tha Xhixho.

Edhe Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali shprehu gatishmërinë për të mbështetur në projektbuxhetin e ri të Bashkisë së Tiranës të gjitha idetë që synojnë rritjen e rolit të gruas.
“Ka qenë një nga sloganet tona, pra të mbështesim gruan, atë sipërmarrëse, por dhe atë që ka nevojë për trajnime, atë që ka nevojë për t’u futur rishtazi në tregun e punës. Pra kanë qenë të tëra pjesë e asaj që ne kemi paraqitur para grave për këtë impenjim që ne kemi marrë dhe këtë premtim që ne kemi dhënë para grave në fushatë , gjendemi sot këtu. Është vendosur një fond prej 6 milionë lekësh të reja për gratë sipërmarrëse në Bashkinë e Tiranës. Ky është një grant. Pra ne po shikojmë termat e referencës në këtë moment dhe se si do ta zhvillojmë. Por ky fond është planifikuar në buxhetin e Bashkisë për t’i përdorur për të ngritur një biznes , për të përmirësuar biznesin e tyre, për të bërë një projekt që ato e mendojnë se do të ketë një impakt në punësim. Kjo është një gjë që ne jemi vërtet të kënaqur që jua themi sot. Detyra jonë është që të vazhdojmë këtë buxhet gjinor në vitet e tjera dhe ndërkohë të shikojmë edhe fusha të tjera”, – tha Paskali.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: