TIRANË

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj tha sot se, totali i shpenzimeve publike në projektbuxhetin e vitin 2019 është planifikuar në vlerën e 519.4 miliardë lekë ose 29.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Duam që të projektojmë një rritje pagash në shëndetësi, rritje kjo prej 7%. Gjithashtu në rritje prej 7% planifikohet edhe në arsim. Ndërsa mbrojtja do të përfitojë një rritje nga 10-19% dhe një rritje prej 20% për diplomatët”, tha Ahmetaj.

Krahas kësaj, tha minsitri, në totalin e shpenzimeve planifikohet kostoja e reformës në Drejtësi, për akomodimin e pagave të reja të institucioneve aktuale të sistemit të drejtësisë si dhe, akomodimi i institucioneve të reja të krijuara për mbështetjen e kësaj reforme.

“Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar në masën 80.6 miliardë lekë ose 4.6% e PBB”, tha Ahmetaj.

Ministri shpejgoi se, shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 41.7 miliardë lekë ose 2.4% të PBB, për të përballuar një rritje të mundshme të normave të interesit nga 1 pikë përqindje në 2 pikë përqindje.

Kreu i Financave theksoi se, për rritjen e performancës së shërbimit që ofron arsimi parashkollor, fondet për pagat e edukatoreve do të rriten me 9.1% në raport me 2018 dhe ndarja e fondeve për çdo bashki, do bëhet me një formulë që mbështetet kryesisht në numrin e nxënësve (fëmijëve 3-6 vjeç) përfitues.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb