TIRANË

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e ka cilësuar buxhetin e miratuar sot në Kuvend si buxhetin e PPP-së.

Përmes një statusi në “Facebook”, Tabaku shpreh bindjen se PPP do të  arrijnë në 3 miliardë euro dhe kjo do të rrisë Borxhin publik në 80 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Deputetja u ndal më tej të mbyllja e bizneseve, teksa shtoi se ky numër në harkun kohor të 24 orëve në të gjithë Shqipërinë arrin në 50 biznese.

Statusi i plotë:

Buxheti PPP-ve

“Të veshur mirë, pasi përgatitën rolet në provën gjenerale pak orë përpara se të niste kuvendi, mazhoranca shkoi të votonte buxhetin PPP në kuvend. Pasi i telendisën shqiptarët me taksa të lloj-llojshme që nga buxheti 2014, qeveria solli në kuvend një buxhet pa krye e pa fund.

Për vitin e ardhshëm përveç parave për propagandë do të kemi para vetëm për projektet PPP që do t’i shkojnë oligarkëve. Vlera e PPP-ve do të shkojë 3 miliardë euro duke e çuar borxhin publik në mbi 80% të PBB-së. Oligarkët pasurohen ndërsa shqiptarët punojnë për të paguar taksat, tarifat dhe shërbimet që rriten përditë.

Paketa Fiskale vazhdon të konfirmojë traditën e shëmtuar dhe pa bereqet të taksave që rriten në kurriz të biznesit. Synimi është tanimë i qartë; të shkatërrohet tregu për t’u monopolizuar në duart e bizneseve pranë qeverisë. Shqiptarët varfërohen, 50 biznese në ditë mbyllen, 1 në tetë shqiptarë largohet nga vendi ndërsa mazhoranca miraton vendosjen e taksës për një sërë biznesesh të tjera. Batërdi dhe tendera. Kjo është fabula e buxhetit 2019”, shkruan Tabaku.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb