Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, duke folur në seancën plenare lidhur me projektbuxhetin 2025, tha se duhet të bëjmë një debat real.
Në këtë kuadër, deputeti Idrizi tha se së pari duhet të përcaktojmë “a do të vijojmë me modelin e deritanishëm ekonomik, apo do të kalojmë në një tjetër model, atë që mbështetet te kapitali njerëzor dhe asetet?”.

Idrizi u shpreh se me këtë buxhet qeveria është në një pozicion komod. Sipas kreut të PDIU-së, borxhi publik është ulur dhe inflacioni mbetet në 3 %, ndërsa të ardhurat nga taksat parashikohen të rriten me mbi 500 mln euro.

Duke përmendur Adam Smith, babain e ekonomisë, Idrizi tha se shprehja e tij do e përkufizonte shumë mirë këtë buxhet dhe këtë debat: një torbë me ar, nuk do të thotë domosdoshmërisht një torbë me ushqime.

“Ky është buxheti në fakt i një vendi ku paga mesatare është sa 30% e atyre të BE. Dhe 40% e kësaj page shkon për ushqime, drita e uji. 20% e popullsisë në varfëri, 40% në kufirin social të varfërisë”, tha Idrizi.

Ai tha se për bujqësinë janë alokuar vetëm 45 mln euro për subvencione, pavarësisht se me bujqësi merren 450 mijë vetë dhe ajo jep 18 % të GDP.

“Me një emigracion problematik, ku sipas censusit të fundit kemi mbetur 2.4 milionë qytetarë. Mosha mesatare është 46 vjeç, duke rrezikuar edhe ritmet e rritjes ekonomike, pasi kapitali njerëzor është po kaq i rëndësishëm sa kapitali financiar. Me importe që arrijnë 5 miliardë euro dhe importet sa gjysma e tyre. Evazioni fiskal mbetet i lartë. Debati real që duhet të adresojë ky buxhet është modeli ekonomik dhe prioritetet e zhvillimit.

Në eksportojmë krahë pune, ato sjellin 1 miliardë euro në vit, ne ato para nuk i çojmë në zinxhirin e vlerës nga prodhimi, por blejmë në import”, u shpreh Idrizi.

Duke u ndalur te turizmi, Idrizi tha se shumë shtete të falimentuara mbahen pikërisht nga turizmi.

“Ne kemi patur një performancë në turizëm, por shtete e falimentuara mbahen nga turizmi. Ne duhet të fusim elementë të tjerë për të nxitur ekonominë dhe këtu kam fjalën për industrinë prodhuese, e cila është 12% e GDP-së. Ne s’mund të krijojmë makina, por pjesë këmbimi patjetër që po. Shans i humbur pas pandemisë, ku shumë firma u larguan nga Kina, por padyshim që produkte ushqimore edhe ato mund t’i prodhojmë shumë mirë. Për këtë nevojitet arsim cilësor, adresuar inovacionit, që ky buxhet nuk e adreson”, tha Idrizi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb