Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi sot se me buxhetin 2025 investimet e brendshme rriten në masën 19% ose plus 173 milionë lekë, ku përmendi dy investime kryesore të parashikuara në zonat e mbrojtura.
Në fjalën e saj në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, ku po shqyrtohet në parim projektligji “Për buxhetin e vitit 2025” të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, ministrja Kumbaro tha se “investimi i parë është rikualifikimi i ekoparkut të Ulzës, park natyror të cilin në vitin 2022 e dyfishuam në hapësirë, përgatitëm projektin me buxhetin e vitit të kaluar. Sapo ka filluar puna dhe do të vazhdojë në tre vite me një vlerë 523 milionë lekë”.
“Ju bëj me dije se punimet kanë filluar dhe do të vazhdojnë gjatë sipas parashikimeve të tavaneve të buxhetit afatmesëm”, tha Kumbaro.
Kumbaro tha se investimi tjetër është ndërtimi i qendrës multifunksionale në lumin Vjosa me një vlerë në total prej 690 milionë lekë, pas shpalljes së Vjosës Park Kombëtar.
“Pas shpalljes së Vjosës Park Kombëtar dhe konkursit kombëtar për të ndërtuar qendrën multifunksionale për Parkun Kombëtar të Vjosës do të ketë 3 vendndodhje. Qendra kryesore në Tepelenë aty ku lidhet Vjosa me lumin Drino, një degë antenë po e quaj do të jetë në Përmet në pjesën e sipërme të lumit të Vjosës dhe një tjetër antenë në Nartë, Vlorë, ku është një tjetër degëzim në të cilin të kemi një mbulim jo vetëm thjesht për vizitorë, jo thjesht pika informacioni, por jemi duke folur për qendra multifunksionale, për zyra për administratën, laboratorë për kërkime shkencore dhe me muze natyror”, nënvizoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “të gjitha këto do të shpjegojnë jo vetëm nëpërmjet edukimit, por edhe nëpërmjet informacionit të prezantuar në mënyrë sa reale aq dhe moderne të gjithë biodiversitetin e florës dhe faunës që si e kanë quajtur të gjithë shkencëtarët ndërkombëtarë Vjosën, është një laborator natyror i jashtëzakonshëm për faktin se është lumi i vetëm i egër në Evropë, pasi në të gjitha vendet e tjera të Evropës lumenjve i janë ndërhyrë”.
“Kufijtë e Parkut Kombëtar të Vjosës shtrihen nga kufiri me Greqinë ku fillojmë marrim pjesën e asaj që i takon Shqipërisë sepse 70 km e para janë në Greqi, përfshijnë tre lumenjtë Shushicën, Bënçën e Drinon dhe grykëderdhjen e Vjosës mes qarkut të Fierit dhe Vlorës, grykëderdhje që ka një mbrojtje të dyfishtë”, tha Kumbaro.
Ministrja Kumbaro bëri të ditur gjithashtu se “kemi miratuar Planin e Integruar të Menaxhimit të Parkut Kombëtar Lumi Vjosa dhe kemi marrë edhe miratimin nga pala gjermane për një grant për të na asistuar në zbatimin e këtij plani me projekte të vogla në territor, ku përfshihen Korça, Gjirokastra, Fieri dhe Vlora”.
“Ne kemi përgatitur edhe dosjen për të aplikuar në UNESCO në kategorinë “Njeriu dhe Biosfera”, një kategori shumë e rëndësishme e trashëgimisë natyrore të UNESO-s. Dosja është pranuar, është në fazën e shqyrtimit kemi opinione pozitive dhe besojmë shumë fort që në 2025 Vjosa do të jetë pjesë e trashëgimisë botërore natyrore e UNESCO”, tha Kumbaro.