Buxheti i vitit të ardhshëm për Presidencën ka nxitur debate në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Institucioni i Presidencës kërkoi një buxhet prej 644 mln lekë.  Sekretarja e Përgjithshme e Presidencës Valbona Lusha tregoi se në shpenzimet e parashikuara nga institucioni janë rikonstruksioni i godinës që do të kushtojë 360 mln lekë, blerje automjetesh dhe orendi të tjera brenda zyrave të autoritetit.

Deputetja e PD dhe nënkryetarja e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Dhurata Çupi replikoi me përfaqësuesen e Presidencës duke u ndalur te kërkesa për rikonstruksionin e godinës dhe shtesa e kërkuar prej 36 mln lekësh për blerje automjetesh. Çupi tha se një ndërhyrje në ndërtesën e Presidencës do të cenonte trashëgiminë kulturore dhe historike. Ajo solli në vëmendje se objekti është listuar si godinë e trashëgimisë kulturore.

Gjithashtu, Çupi ui drejtua zyrtares së Presidencës duke e pyetur nëse paratë që kërkonin ishin shpërblim për shërbimin që kreu i shtetit i ka bërë mazhorancës.

“Këtë herë kërkohen 3 milionë euro nga Presidenti. Janë 3 milionë euro që do zhbëjnë një trashëgimi kulturore. A po cenoni trashëgiminë kulturore dhe historike të Presidencës? Sepse 3 milionë euro investim është e pamundur të mos e cenoni. Është një godinë e hershme e listuar si godinë e trashëgimisë kulturore. Dhe a po ju shërblen qeveria për faktin që keni dekretuar ligje dhe janë konstatuar antikushteuese. Vetëm në vitin 2024 janë konstatuar disa ligje që ju i keni dekretuar duke ju paralajmëruar opozita që duhet t’i ktheni dhe mos t’i dekretoni dhe ju i keni dekratuar dhe Gjykata Kushtetuese ua ka shpallur antikushtetuese. A e keni këtë buxhet 3 milionë euro si shpërblim qpër herbimin që i keni bërë mazhorancës?”, tha Çupi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Presidencës deklaroi se nuk do preket trashëgimia kulturore nga ndërhyrja në objekt. Sipas saj, janë marrë të gjitha lejet përkatëse për t’iu përmbajtur statusit që ka godina e cila shërben si selia e numrit një të shtetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb