Turizmi, teknologjia dhe ekonomia ishin temat kryesore në të cilat u ndal kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në dëgjesën e fundit për Buxhetin 2025. Nga shkolla “Besnik Sykja”, ai tha se Tirana po përjeton një bum turistik, si i vetmi qytet ku turistët e vizitojnë në çdo ditë të vitit.

“Bumi i turizmit në Tiranë është 12 muaj. Në qoftë se në qytetet e tjera në bregdet, me të gjitha mrekullitë që ofron bregdeti ynë, po në fund të shtatorit – fillim të tetorit mbyllet, Tirana është i vetmi qytet me turizëm 365 ditë. Mjafton të shikoni se si edhe tregu i fundvitit te sheshi “Skëndërbej”, apo të gjitha aktivitetet e tjera nëpër lagje, në shumicën e rasteve vizitohen më shumë nga turistët se sa vendasit. Kjo Tregon se praktikisht, administrata jonë i shërben ‘2 qyteteve’, qytetit të atyre që jetojnë në Tiranë, por edhe një qyteti të vizitorëve, që ka shtuar sfidat tona”, u shpreh Veliaj.

Mandej, ai shtoi se Bashkia e Tiranës është një gjenerator ekonomie, kur tha se në Zonën e Lirë Ekonomike, që po ndërtohet në Kashar, do të mund të punësohen rreth 7 mijë persona.

“Bashkia e Tiranës është fuqia e dytë shpenzuese, pas qeverisë qendrore. Kjo është arsyeja pse ne po kultivojmë disa hapësira të reja, siç është Zona e Lirë Ekonomike mes Kombinatit e Kasharit, për ta kthyer në hapësirën më të madhe ekonomike të Shqipërisë dhe për t’u siguruar që 5-7 mijë vetë punojnë për punët e së ardhmes. Një ndër projektet që kemi është si do i përgatisim çunat e gocat tanë për punët e së ardhmes. Kjo është arsyeja pse jemi sot i vetmi qytet në Evropë, që për të gjithë fëmijët nga mosha 12-18 vjeç i kemi kurset e teknologjisë falas te Piramida”, vijoi Veliaj.

Për këtë arsye, kryebashkiaku nënvizoi faktin se do vijojnë investimet për teknologjinë dhe punët e së ardhmes.

“Duam shumë që, përveç se të vazhdojmë me kurset në qendrën Tumo, të bëjmë të njëjtën gjë edhe për moshat mbi 18 vjeç. Kjo është arsyeja pse duam të investojmë te qendra tjetër, që vjen nga Franca, Ecole-42, e cila është për moshën 18-21 vjeç, ku prapë e paguan Bashkia e Tiranës edukimin e atyre që duan t’i futen kësaj rruge. Pas asaj do vazhdojmë me ‘Plug & Play’, një tjetër ekosistem për moshat mbi 22 vjeç, për ata që jo vetëm duan dije, por duan edhe të fillojnë një biznes. Do jemi qyteti i parë në Ballkan, kur vjen puna tek teknologjia, informacioni, inteligjenca artificiale, realitete të augmentuara, te të gjitha zanatet e së ardhmes. Nëse ne themi se si të majtë besojmë që fillimi duhet të jetë njësoj për të gjithë, atëherë fëmijët do të duhet të ushqehen të gjithë njësoj, siç e bëjmë në çerdhe, në kopsht, edhe vitin tjetër në shkollat tona. Fëmijët do të duhet që t’i marrin të gjithë njësoj aftësitë e së ardhmes, siç e bëjnë ata që kanë mundësi, ashtu edhe të tjerët te Piramida. Pra, një fillim i barabartë, për të gjithë çunat e gocat e Tiranës sonë”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: