Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka mbajtur sot një fjalim të ashpër në Kuvend, duke kritikuar thellësisht buxhetin faktik të vitit 2023. Sipas saj, ky buxhet nuk ofron asnjë zgjidhje për shqiptarët e thjeshtë dhe vijon traditën e buxheteve të mëparshme socialiste, të cilat shërbejnë interesat e një pakice elitare.

Tabaku nënvizoi se 2023-a ishte viti kur shqiptarët përjetuan një rritje të lartë të çmimeve, ku artikujt bazë shënuan një rritje deri në 29.5%, duke rënduar tej mase xhepat e qytetarëve. “Çfarë bëri qeveria për të ndihmuar qytetarët? Transferoi 80 milionë euro drejt firmave kontraktore për beton, ndërsa për pensionistët dhe administratën, nuk pati asnjë mbështetje konkrete,” tha ajo.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Tabaku ishte paaftësia e qeverisë për të menaxhuar buxhetin në mënyrë efikase dhe transparente. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSh), 70% e buxhetit për 2023 u realizua vetëm në muajin dhjetor, një praktikë që Tabaku e konsideroi si një dështim të plotë të qeverisë për të menaxhuar financat publike në kohë të duhur. Ajo ironizoi duke thënë: “Më mirë ta mbyllim shtetin për 11 muaj dhe vetëm në muajin e 12 të paguajmë faturat.”

Tabaku theksoi gjithashtu se modeli ekonomik i ndjekur nga qeveria përqendrohet vetëm në ndërtim dhe pastrim parash, duke lënë pas dore shumicën e qytetarëve. “Shqipëria ka nevojë për një model ekonomik që i drejtohet 95% të qytetarëve dhe jo vetëm elitave,” theksoi ajo, duke i kërkuar qeverisë të mbështesë shtresën e mesme dhe të inkurajojë zhvillimin e sektorëve strategjikë si bujqësia.

Duke e përmbyllur fjalën e saj, Tabaku shprehu shqetësimin për praktikat e padrejta të taksimit, ku bizneset e vogla ngarkohen me gjoba dhe taksa të larta, ndërsa ekonomia e vendit vuan nga një nivel i lartë informaliteti dhe korrupsioni. “Ky model ekonomik nuk mund të vazhdojë më. Është koha për një ekonomi që përfshin dhe mbështet të gjithë shqiptarët,” deklaroi ajo në mbyllje të fjalës së saj.

Fjala e deputetes se PD Jorida Tabaku ne kuvend

Si gjithmonë kur bëhet fjalë për të folur për qytetarët, shumë pak fjalë gjenden nga kolegët, sidomos kur bëhet fjalë për buxhetin. Buxheti i 2023 nuk ka ndryshim nga të gjithë buxhetet socialiste të mërparshëm. Më kujtoi Ministri që ka qënë vit i vështirë për Shqipërinë. Shqiptarët e mbajnë mend 2023 si vitin kur u rritën çmimet më shumë se në çdo periudhë tjetër. çmimet e shportës u rritën deri në 29.5% dhe çfarë bëri qeveria si përgjigjje ndaj rritjes së përgjithshme të çmimeve dhe shqetësimit që tashmë Shqipëria pati një krizë ekonomike, jo prej faktorëve të jashtëm, jo prej agresionit rus, por prej faktorëve të brendshëm, prej modelit ekonomik. Qeveria shqiptare bëri një VKM ku çoi 80 Mln Euro tek firmat kontraktore sepse rritja e çmimeve u rrit vetëm për betonin, nuk u rrit për pensionistët? Rritja e çmimeve implikonte vetëm kontraktorët, nuk implikonte qytetarët, punonjësit e administratës? Viti 2023 mbahet mend si ai vit ku rritja më e lartë e çmimeve i zhvlerësoi rrogat për herë të parë, pagat e administratës dhe pensionet i çoi me rënie reale. Kjo është pamja e vitit 2023!
Kam një pyetje për qytetarët që e ndjekin parlamentin: A jeni më mirë sot apo ishit më mirë 15-20 vite mëparë? A kushton më shtrenjtë sot, a blini më pak sot me pagat dhe pensionet apo blinit më pak mëparë? Sepse kur vjen puna tek xhepi, krahasimin secili e bën shumë thjeshtë!
Modeli ekonomik i prezantuar dhe në raportin e KLSh-së, por dhe në buxhetin faktik tregon një buxhet i cili sëpari nuk dinë të programojnë dhe të hartojnë një politikë buxhetore dhe taksash që në fillim të vitit. Ka pasur akte normative, thotë KLSh, që e ka denatyruar dhe shndërruar komplet buxhetin në një dokument fletore bakalli! Sa herë që i duhen fonde marrin dhe ndryshojnë buxhetin dhe shembulli më i mirë është fondi rezervë i vitit 2023. Ky fond rezervë është përdorur për shpenzime operative normale që mund të ishin planifikuar, jo për atë që duhej si p.sh. për të përballuar krizën.
Së dyti, raporti i KLSh-së thotë se 70% e buxhetit është zbatuar muajin e fundit në dhjetor. E gjithë fatura e investimeve publike të Shqipërisë është bërë normale të zbatohet 30% gjatë vitit dhe 70% në muajin dhjetor. E njëjta gjë ndodh me pjesën më të madhe të shpenzimeve. Unë them ta mbyllim fare shtetin 11 muaj të vitit dhe në muajin e 12 vetëm të paguajmë fatura. Kjo është problematika më e madhe që e ka buxheti i shtetit, që e ka pasur çdo vit në fakt. Paaftësia që kanë për të shpenzuar dhe korrupsioni që e shfaqin gjithë muajin e fundit.
Raporti i KLSh-së thotë që rreziqet kryesore të ekonomisë vazhdojnë dhe mbeten: kontratat e koncesioneve dhe PPP-ve; rreziku i vërtetë dhe shqetësimet për zbatimin e tyre; përveç detyrimeve dhe borxheve që vijnë për arbitrazhin dhe fondeve të kontigjencës që përdoren për arbitrazhin; fatura që kanë nisur në 2023 dhe po kulmojnë dhe sot e kësaj dite duke pasur parasysh një element për të cilin unë kam folur shpesh, çështjen e pronave. Dhe çështja e pronave dhe problematikat për pronat vihet re dhe në fondin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave.
Nuk është zbatuar tha Ministri dje dhe për vitin aktual, dhe për 2023, dhe për vitet paraardhëse, fondi për trajtimin e pronës për probleme teknike. Jo, nuk është zbatuar për probleme konceptuale me ligjin që keni ju për pronën, se i thoni pronarëve “merre fondin me 20% të vlerës së tokës” dhe ata refuzojnë që të zbatojnë ligjin. Sigurisht, me një ligj antikushtetues që në Gjykatat Ndërkombëtare janë duke u fituar çështjet për kthimin dhe kompensimin e pronave, sepse sigurisht askush nuk ta merr pronën për 20%. E njëjta formulë do vazhdojë përsa kohë që ju të keni këtë koncept komunist për pronën.
Prandaj vazhdojnë dhe fondet e pronave mbarten vit pas viti sepse refuzojnë pronarët që të firmosin marrëveshje korruptive, marrëveshje që është në dëm të pronës dhe kjo është e reflektuar njëkohësisht raportin e KLSh-së.
Raporti i KLSh-së vë re një tendencë që unë po e shoh dhe këtë vit dhe është një tendencë që shfaqet çdo vit që ka zgjedhje: gjobat. Është çmendur qeveria! Janë sulur tatimet sot mbi të gjitha bizneset për të vendosur gjoba me idenë e vetme që t’i falin vitin tjetër kur ka zgjedhje. Është çmendur Bashkia e Tiranës me gjoba për bizneset e vogla në momentin që rillogarisin xhiron për tarifën e pastrimit për t’i falur vitin tjetër kur ka zgjedhje. Janë çmendur të gjitha institucionet me gjoba, sepse duke qënë se nuk e mbajnë shtetin normalisht me funksion normal të taksave, duke qënë se ka nje informalitet të lartë prej politikës së këtyre taksave, janë duke operuar vetëm me gjoba! Duke mbledhur gjoba dhe duke i falur ato në vite elektorale. Kjo tendencë duhet të marri fund menjëherë!
Ky model ekonomik që i bie në qafë biznesit për detyrat që duhet të bëjë qeveria, model që bazohet jo tek puna e ndershme por tek pastrimi i parave dhe ndërtimi, sepse kjo ka qënë dhe në 2023 formula me të cilin është zhvilluar dhe hartuar pjesa më e madhe e të gjithë mbështetjes ekonomike për të gjithë sektorët është përsëri ndërtimi.
Shqipëria sot ka nevojë për një model ekonomik që i drejtohet 95% të qytetarëve. Është kthyer buxheti, ekonomia në një ekonomi elitash, një ekonomi që i kthen përgjigjje vetëm 5% të qytetarëve.
Dëgjova Ministrin kur foli për buxhetin e vitit 2025 duke iu referuar procesit të integrimit dhe mbylljes së gjithë hapësirave që kanë jo vetëm bizneset por dhe qytetarët. A e dini sesi performon Shqipëria krahasuar me rajonin për pensionet mesatare: Shqipëria 131 Euro, Mali i Zi 291 Euro, Serbia 276 Euro, Bosnja & Hercegovina 237 Euro. Sot ndërkohë që po flasim është akoma dhe më e lartë niveli i rritjes që kanë bërë të gjithë vendet e rajonit. As kaq nuk bëjmë dot, as sa vende me 500.000 banorë nuk i kemi të përafruara? Qoftë pensionet, qoftë faturën sociale, qoftë mbështetjen buxhetore për shtresat në nevojë dhe pastaj vinë dhe na thonë këtu kasetat e përherëshme “buxheti më i madh, buxheti më i mirë”. çdo buxhet që ka ardhur në parlament ka qënë përveçse klientelist, por dhe në dëm të shumicës së qytetarëve, ashtu është dhe buxheti i 2025, nuk ofron asnjë gjë të re!
Sesi mund të ç’lirohet ekonomia, sesi mund t’i drejtohemi shtresës së mesme, sesi mund të shfrytëzojmë potencialin e të gjithë të rinjve që janë larguar që sot po ndikojnë në ekonomi me 40% të forcës aktive të punës të larguar që po rrezikon jo vetëm konsumin, por po rrezikon skemën e pensioneve, rrezikon të gjithë sektorët ekonomik. Këto janë përgjigjjë që nuk i ka dhënë ky buxheti i shtetit, as i 2024 e nuk do i jap as ai i 2025.
ç’lirimi i ekonomisë, rregullimi i tregut dhe lënia hapësirë e biznesit, mosmbytja e biznesit me gjoba dhe me taksa duhet të ishte elementi i parë që duhet të kishim parasysh nëse qëllimi ishte për të ç’liruar ekonominë.
Kjo sjellje represive ka sjellë këtë situatë sot. Rezultati i bujqësisë, që ka nisur që në 2023 të vihet re, 20% ka qënë si pjesë e PBB-së në 2023. Ndërsa sot ka shkuar 16%. Nëse e nënfinancon, nëse nuk i jep mbështetje sektorit, nëse i vendos TVSh-në sektorit, nëse e diferencon (s’ka asnjë vend të BE-së që e diferencon TVSh-në në shitje dhe blerje siç e ka bujqësia në Shqipëri) këto janë pasojat. Bujqësia sot është duke u shkatërruar dhe pasojat kanë nisur këtu me këto politika të marra pas 2019 dhe kanë dhënë efekt në 2023.
Të mos flasim për mbështetjen e munguar të IPARD-it, mbështetjen politike të fermerëve me lista siç ndodhi rindërtimi, siç ndodh shpërndarja e fondeve në bujqësi sa herë që ka vite elektorale. Këtë praktikë fatkeqësisht ky buxhet e ka më të theksuar se çdo buxhet tjetër!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb