TIRANË

Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar sot se buxheti për arsimin është ulur dhe ndryshe nga sa deklaroi kryeministri Edi Rama nuk do të ketë rritje pagash për mësuesit por indeksim të rritjes së çmimeve.

Në një deklaratë për mediat, nënkryetarja e LSI-së Kejdi Mehmetaj tha se buxheti i këtij viti, vendi që zë arsimi në PBB është vetëm 3.29%.

“Ky është viti me uljen më të madhe sa i përket zërit të arsimit. Kryeministri përmendi rritjen e pagave të mësuesve, në fakt rritja e pagave të mësuesve nuk është realitet, nuk është e reflektuar në zërin paga. 25 mld zinte para një viti dhe aq zë edhe vitin e ardhshëm. Është vetëm indeksimi i rritjes së çmimeve”, deklaroi Mehmetaj.

Ajo tha se kryeministri abuzon për tekstet falas, që nuk janë falas por me kredi dhe me arrogancë ironizon tek prindërit.

DEKLARATA E PLOTË
Në raportin e saj të fundit Fondi Monetar Ndërkombëtar ngriti disa këmbana alarmi mbi arsyet që po çojnë në rritjen e numrit të qytetarëve shqiptar që po lënë vendin dhe po emigrojnë. Një ndër to është theksi që raporti i vendosi uljes së investimeve buxhetore në fusha prioritare.

FMN në raportin e saj të fundit thotë në veçanti, shpenzimet për arsimin mbeten në nivel të ulët, ndërkohë që mungesat e krahut të aftë të punës përbëjnë kufizim serioz mbi produktivitetin dhe rritjen.

E ndërsa këto rreshta në raportin e FMN do duhej ta nxisnin qeverinë dhe kryeministrin që të rriste investimet dhe vendin që arsimi zë në buxhetin e vitit të ardhshëm, ajo që ndodhi në fakt është krejt e kundërta, këto rreshta e nxitën kryeministrin dhe ministren e arsimit që nën moton e tyre të preferuar sajo, sajo sepse në fund diçka do të mbetet, dhe me shprehjen që e karakterizon kohët e fundit shpifjen, të dalë nëpër deklarata dhe tu thotë shqiptarëve gjëra që janë krejtësisht të pavërteta.

Kur përgjunjur kryeministri kërkonte votën e qytetarëve për të ardhur në pushtet, premtonte e betohej se nën qeverisjen e tij arsimi do të kthehej në prioritet dhe do të zinte 5% te Prodhimt të Brendshëm Bruto. Sot realiteti është shumë i hidhur dhe kryeministri simbol i shkatërrimit, jo vetëm që nuk rriti buxhetin siç ai e premtoi, por vazhdon të kontribuojë në mënyrë të denjë dhe dashakeqe për të shkatërruar tërësisht sistemin arsimor.

Besoj që shqiptarët nuk habiten më me premtimet e pa mbajtura të kryeministrit i cili siç akuzon vetë shpifësit, është shpifësi kryesor. Po sjellim dhe njëherë në vëmendjen tuaj, se si në të njëjtën kohë kur kryeministri premtonte 5% te Prodhimit të Brendshëm Bruto për arsimin, i premtonte edhe qytetarëve të Unazës së Re, se do tu legalizonte shtëpitë, këto janë 2 raste paralele, si shumë raste të tjera të mashtrimeve në premtimet e kryeministrit kur kërkonte votën e qytetarëve.

Po e sjellim edhe një herë në vëmendjen tuaj videon:
Për rreth një javë, nëpër evente ku me detyrim u kërkojnë mësuesve e pedagogëve, anëtarëve të bordeve të marrin pjesë, kryeministri dhe ministrja e Arsimit vazhdojnë me fushatën e tyre të abuzimit me arsimin.

Më poshtë po ju rendis disa fakte konkrete mbi të pavërtetat që kanë thënë të dy palët:
Kryeministri dhe Ministrja duke folur për rezultatet e testit PISA 2015, i cili është bërë 3 vite më parë në 2015, u kujtuan dhe bënë zbulimin e madh pas 3 vitesh se shqiptarët paskan dalë te dytët në këtë test, madje ja referuan, Harry Patrinos nga Banka Botërore. Ja ku është këtu botimi i Harry Patrinos, i cili në asnjë moment të botimit të tij nuk thotë se Shqipëria zë vendin e dytë edhe nuk ka si ta thotë sepse këtu janë rezultatet të testit PISA dhe mund ta shikoni qartësisht vendin që zënë shqiptarët dhe pavarësisht përmirësimit të rezultateve nga testi PISA i kaluar kryeministri dhe ministrja duhet të jenë të qartë përpara shqiptarëve dhe tu thonë se në fakt këto rezultate nuk janë si pasojë e qeverisjes së tyre, por qeverisjes së mëparshme. Sepse një nxënës 14-vjeçar nuk ndryshon asgjë në dijen e tij brenda një viti të vetëm.

Kryeministri dhe ministrja përmendën se është rritur buxheti për arsimin. Madje arritën deri në pikën sa të përmendin shifrën 60% nga ai i vitit 2013. Kjo është një tjetër e pavërtetë e hidhur. E vërteta në fakt është që në buxhetin e këtij viti, vendi që zë arsimi në prodhimin e brendshëm bruto është vetëm 3.29%. Edhe pse këto shifra janë të pavërteta sepse në to futen dhe fonde nga Minsitria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes. E vërteta në fakt është se vite më parë në 2013, 2014 apo qoftë edhe në vitet e tjera, të qeverisjes Rama në fakt për arsimin ka pasur përqindje më të madhe në PBB.

Ky është viti në fakt me uljen më të madhe, sa i takon zërit të arsimit, në buxhetin e shtetit për vitin 2019. Nga ana tjetër Kryeministri përmendi rritjen e pagave të mësuesve. Këtë e tha dhe ministrja dje në një mbledhje të Komisionit të Ekonomisë. Në fakt rritja e pagave të mësuesve, nuk është realitet. Ajo nuk është e reflektuar në tabelën e arsimit, zëri paga për buxhetin e vitit 2019. 25 miliardë zinte kjo vlerë përpara një viti, 25 miliardë zë dhe në vitin e ardhshëm. Dhe e vërteta e kësaj rritje në fakt është asgjë me tepër sesa thjesht indeksimi i rritjes së çmimeve.

Për të justifikuar mbyllen e 120 shkollave dhe numrin që vazhdon e ulet të nxënësve që regjistrohen dhe ndjekin arsimin në shkolla. Kryeministri na tha se paska rritur buxhetin për transportin e fëmijëve, për ti çuar në shkolla të cilat ndodhen mbi 2 mijë km nga vendi i tyre i banimit. Edhe kjo një tjetër e vërtetë, jo e vërtetë. Sepse sipas buxhetit, relacionit, që vetë kanë sjellë në Komisionet Parlamentare, buxheti i këtij viti për transportin është vetëm 650 milionë, jo 800 milionë sa pretendoi ministrja dhe jo me rritje siç pretendon kryeministri. 32 mijë ka qenë numri çdo vit nga 2013 e këtej i nxënësve që kanë nevojë për transport për të shkuar në shkolla. 30 mijë thuhet sot në relacionin e sjellë nga Ministria e Arsimit. Vazhdojmë me problemet e tjera.

Kryeministri abuzon me tekstet falas, që janë në fakt tekste me kredi. Dhe me arrogancë ironizonte prindërit të cilët ndiheshin të shqetësuar sepse fëmijët e tyre nuk mund të shkruajnë, madje dhe shkarravisin siç është normale për moshën e tyre, në tekstet e tyre sepse duhet ti kthejnë në fund të vitit shkollor. Duke i quajtur shkarravina, kryeministri në fakt harroi se nuk është 7 vjeç por shkarravit ndoshta me keq se fëmijët, në librat e punës së tij të përditshme, të cilat i kthen dhe në vepra arti dhe i shet nëpër botë me çmime tmerrësisht të kushtueshme.

Sa i takon kurrikulave dhe teksteve që interpretohen nga Kryeministri dhe Ministrja si suksese, janë po ato libra me po ato gabime, tekste të papërshtatshme dhe me ngarkesë të lartë, për të cilat UNESCO në raportin e saj thoshte se ende nuk janë implementuar siç duhet, ende nuk janë përshtatur për fëmijët shqiptar dhe kanë probleme të jashtëzakonshme.

Portali Mësues për Shqipërinë,i konsideruar si i mangët dhe problematik nga UNESCO madje dhe si antiligjor, është ligjëruar dhe u bie si kamzhik mësuesve të aftë e të përgatitur, që nuk pranojnë ti nënshtrohen sektit rilindas.

Reforma në Arsimin e Lartë dhe shkatërrimi i Akademisë së Shkencave ishin kërbaçi i fundit e kjo qeveri i dha arsimit. Sot Universitetet vuajnë pasojat e reformës së dështuar, qoftë në pikëpamjen akademike dhe po ashtu administrative dhe Ministrja në vend që të marrë përgjegjësitë që i takon, në radhë të parë duke dhënë dorëheqjen, e më pas duke lëvizur të gjitha mekanizmat, për të risjellë normalitetin në universitet, nuk merret me këto çështje por sërish gishtin e kthen nga bordet e administrimit të cilat i ka vetë nën kontroll si ministri, për të thënë se paaftësia në menaxhimin e fondeve qenka e tyre dhe jo e ministrisë.

Ne 5 vite zero lekë shtesë për bursa, zero leke shtesë për investime, 0 lekë shtese për kërkimin shkencor, zero lekë shtesë për rikonstruksionin e konvikteve ku strehohen rreth 17 mijë studentë në vit. E gjithë kjo situatë, të gjithë këto shifra që unë përmenda, të cilat lehtësisht mund t’i gjejë çdo qytetar, duke e klikuar qoftë edhe vetë në faqen e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, tregojnë qartazi që kjo qeveri dhe ky kryeministër, nuk e do arsimin, nuk mendon për arsimin. Për to është e nevojshme vetëm të kontrollojnë shqiptarët dhe kontrolli nuk mund të bëhet duke i dhënë atyre dije dhe duke i dhënë atyre kontroll.

Prandaj edhe njëherë, u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, të mos kenë më durim, të mos kenë më mëshirë për këtë kryeministër simbol të shkatërrimit, simbol të vjedhjes dhe tashmë siç edhe vetë e thotë, simbol të shpifjes.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb