TIRANE- Autoriteti Rrugor Shqiptar ka reaguar pas deklaratave të kryetares së Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi në lidhje me projektin për ndërtimin e By-Passit në Shkodër.

Përmes një reagimi publik ARSH sqaron se punimet për këtë by-pass kanë nisur që në 2011, ku janë lidhur kontratat me firmat ndërtuese për dy lote. Po ashtu bëhet e ditur nga ARSH se Bashkia e atëhershme e Shkodrës ka qenë plotësisht dakord me këtë projekt dhe kjo është lehtësisht e vërtetueshme me shkresat.

Kujtojmë se Ademi pohoi se Bashkia e Shkodrës nuk ishte njohur me ndërtimin e lotit të dytë të këtij by-Passi, duke kthyer kështu përgjigje për pretendimet se ky institucion po bllokonte projektin.

REAGIMI I ARRSH
Duke marrë shkas nga deklarimet e bëra publike gjatë ditëve të fundit nga Bashkia Shkodër referuar çështjes së bypass-it të qytetit, Autoriteti Rrugor Shqiptar sqaron median dhe opinionin publik për sa vijon:
Punimet për ndërtimin e Bypass-it të Shkodrës kanë filluar në vitin 2011 kur janë lidhur kontratat me firmat ndërtuese dhe është realizuar ndarja e projektit në dy lote.
Projekti i Bypass-it është hartuar nga studio projektuese e kontraktuar nga ish DPRR sot ARRSH dhe ka përfunduar në vitin 2011, në mbështetje të plotë dhe në zbatim të Planit të Përgjithshëm rregullues të qytetit të Shkodrës miratuar nga KRRTRRSH në vitin 1994, si dhe kërkesës së Bashkisë Shkodër për përfshirjen e një segmenti rruge me dy korsi, një sens me një gjatësi rreth 1,7 km që do të ndihmonte në trafikun e shpejtë në drejtim të daljes të qytetit.
Pranë Bashkisë Shkodër janë bërë diskutimet dhe mbledhjet e këshillit teknik të DPRR, sot ARRSH, për miratimin e tij, ku midis pjesëmarrësve ka qenë dhe ish zv. ministri i atëhershëm i MPPT-së, ( Vendimit të Këshillit Teknik të dt. 01.09.2011). Pra, Bashkia e atëhershme e Shkodrës ka qenë plotësisht dakord me këtë projekt dhe kjo është lehtësisht e vërtetueshme me shkresat nr.3373 prot dt. 31.07.2008 dhe nr. 1039 prot dt. 1/4/2011, të nënshkruara nga ish-kryetari z. Lorenc Luka.
Punimet për zbatimin e projektit në të dy lotet ( loti 1 e loti 2) kanë filluar në vitin 2011. Në Maj të vitit 2017, Bashkia Shkodër ka përcjellë pranë ARRSH-së kërkesa për ndryshime e modifikime për të dy lotet , kërkesa të cilat nga ana e saj ARRSH i mori parasysh për trajtim. Në kuadër të këtij ndryshimi, sipas legjislacionit në fuqi për ndërtimin, u bë ripunimi plotësimi dhe modifikimi i projektit të lotit 1 kurse për lotin 2 u përgatit një propozim në fazë projekt ideje.

Znj Ademi në deklaratën e saj thotë se “për këtë pjesë të Bypass-it ose loti 2 pranë molos nuk ka asnje projekt të depozituar nga ARRSH në Bashkinë e Shkodrës”. ARRSH sqaron opinionin publik se Loti 2 ka pasur të miratuar e të dakortësuar edhe nga Bashkia Shkodër projektzbatim. Për ndryshimet dhe modifikimet e kërkuara si rruga të jetë panoramike, te ketë korsi biçikletash, të ketë brez të gjelbëruar të harmonizuar me natyrën përreth, muret anësore të jenë të veshura për mbrojtjen nga erozioni dhe uljen e lartësisë së rrugës në lartësinë e shëtitores të ndërtuar tek Ura e Bunës) është ripunuar projekti ekzistues duke marrë parasysh të gjitha propozimet përveç kërkesës për uljen e niveletës së rrugës në kuotën e pedonales ekzistuese. Kjo, për arsye se në projektin bazë kjo kuotë prashikohej 1.8 m mbi nivelin e saj (ose kuotë absolute 10 m mbi nivelin e detit) me qëllim mbrojtjen e rrugës nga përmbytjet.

Segmenti prej 700 m, ku kërkohet ulja e kuotës së projektit në kuotën e pedonales ekzistuese është pjesë e lotit 2. E për këtë, sipas kërkesave zyrtare të ardhura nga bashkia me datë 3.05.2017 është përgatitur një projekt-propozim. Për të krijuar një klimë bashkëpunimi në mes dy institucioneve për të mirën e qytetarëve është kërkuar një takim me të gjithë aktorët e interesuar, me komunitetin dhe me stafin e Bashkisë Shkodër për të bërë prezantimin e kësaj ideje të ardhur nga supervizori i punimeve në përgjigje të kërkesave të Bashkisë. Dëgjesa është organizuar më datë 2.11.2017 në Shkodër në të cilën janë dëgjuar dhe sugjerimet mendimet apo propozimet e pjesëmarrësve në këtë takim.
Projekti i paraqitur, pasi ka marrë dhe përfshirë dhe propozimet e dala në këtë takim o është dërguar dhe Bashkisë Shkodër e saktësisht Drejtorit të Urbanistikës Z Aljon Koçkiçi më datë 10.11.2017.
Qytetarët e Shkodrës duhet të dinë se në Bashki për segmentin 700 m të pedonales ka një projekt propozim, i cili pret aprovimin e Kryetares së tyre për ta finalizuar këtë me miratimin e tij nga Këshilli Teknik i ARRSH.

Ky projekt-propozim ka bërë dhe uljen e kuotës së ndërtimit të këtij segmenti rrugor nga 1.8 m që ishte mbi kuotën e pedonales ekzistuese në 0.8 m mbi këtë kuote, duke përfshirë dhe një zgjidhje ambicioze me porta panoramike që në rast përsëritje të përmbytjeve të vitit 2010 të mbrohej rruga dhe pedonalja nga vërshimi i ujërave. Është pikërisht kjo, ajo që ka ngatërruar Znj Kryetare e Bashkisë Shkodër në nxitimin e saj për të hedhur akuza ndaj ARRSH-së dhe këtij projekti mjaft të rëndësishëm.
Bashkia e Shkodrës akoma nuk ka dhënë një version teknik të sajin për këtë objekt, por sugjeron që ARRSH të “marrë konsulence të huaj”. (ref shkreses datë 17.01.2018). Autoriteti Rrugor Shqiptar është akoma në pritje të shprehjes së dakordësisë nga Bashkia Shkodër.
Referuar çështjes së shpronësimeve të objekteve që preken nga ndërtimi i këtij Bypass-i, ARRSH sqaron median dhe opinionin publik se kjo procedurë është në ndjekje e sipër për tu adresuar deri në përmbylljen e plotë të të gjithë procesit të shpronësimeve.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb