Nëse në fazën e parë të kampionatit ndonjë mund të kishte mbetur i habitur nga starti impresionues i Bylisit duke e cilësuar thjesht një rastësi, tashmë duhet të mendojë ndryshe. Mallakastriotët po vijojnë me ritëm të jashtëzakonshëm në këtë kampionat dhe me fitoren e arritur ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi”, janë katapultuar në vendin e dytë me 20 pikë, vetëm një pikë më pak sesa Partizani kryesues.


Në Shkodër, diferencën e bëri goli i Stivi Jankut. Qendërmbrojtësi kryeqytetas i Bylisit përfiton më së miri nga devijimi i gabuar i mbrojtjes kuqeblu, që nuk e arrin ta largojë dot topin, dhe i vetëm përballë Sherrit bën goleadorin duke tundur rrjetën. Ka momente paqartësie me anësorin që e anuloi golin për pozicion të parregullt, por ka parë mjaft mirë kryesori Ziri, që akordoi epërsinë e miqve.


Bylisi administron mirë avantazhin dhe arrin të fikë ndeshjen, që ndizet vetëm në fund me sulmet e Vllaznisë. Por shkodranët kujtohen shumë vonë, ndërsa tentativat e Krymit në të 88-ën apo Krujësnë të 90-ën, janë shumë pak për t’i shkëputur një pikë këtij Bylisi, që ka pësuar vetëm një humbje në 11 javë kampionat dhe me 5 golat pësuar, konfirmohet si mbrojtja më e mirë deri më tani.


(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb