Bylisi nga sot do të nisë stërvitjen me grup të plotë, duke qenë se pas ndeshjes me Laçin, ku mallakastriotët barazuan, stafi vendosi që t’i lërë pushim lojtarët, në mënyrë që ata të rigjenerojnë forcat dhe të jenë sa më në formë për sfidën e së martës së ardhshme me Tiranën në transfertë.
Mallakastriotët tashmë llogarisin gjashtë finale për mbijetesën, ndërsa trajnerit të tyre, Gentian Mezanit, i duhet që të përzgjedhë më të mirët.
SULMI – Sakaq, duket se po vuan në sulm në takimet e fundit. Ballshiotët, edhe pse zhvillojnë lojë dhe qarkullojnë dendur topin, nuk finalizojnë siç duhet. Ballshiotët kanë shënuar vetëm dy herë në katër betejat e fundit në kampionat.
MUNGESAT – Por duket se mungesat e titullarëve do të shoqërojnë Bylisin edhe në këtë transfertë mjaft delikate dhe të rëndësishme. Me sa duket, gjyqtari Hamiti ka lënë me pasoja Bylisin edhe për sfidën me bardheblutë, teksa do të mungojnë elemente të spikatur te mallakastriotët, siç është Malomo, një nga mesfushorët më të spikatur. Në qendër pritet që të Ketë spostim të Ruçit dhe Përgjonit, që mund të kenë aty edhe Oforin ose Kane. Gjithsesi, kjo mbetet për t’u parë, ndërsa në fundjavë mallakastriotët do të zhvillojnë një ndeshje kontrolli, me ndonjë nga skuadrat e së Parës.
KAMARA – Aboubakar Kamara është “firo”-ja e radhës në seancat e Bylisit. Mesfushori me tipare sulmuese nuk do të jetë për disa ditë nën urdhrat e stafit, pasi për të ka mbërritur ftesa, këtë herë jo nga Nigeria U-23, por nga kombëtarja A e Nigerisë.