TIRANE

Ish-deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi i ftuar në rubrikën “Opinion”, në “News 24” tha se është në interesin publik, largimi i kryeministrit Edi Rama nga Qeveria. Bylykbashi u shpreh se pavarësisht pretendimeve të kryeministrit Rama që është i ri në politikë, është krejt e kundërta. Sipas Bylykbashit Rama ka 20 vite në pushtet dhe në kohën që drejtonte Bashkinë e Tiranës bashkëpunonte me bandat.

“Askush nuk voton një qeveri kriminele. Ata që njohin historikun në pushtet të zotit Rama, që hiqet si i ri në politikë, ka 20 vite në pushtet. Kush e njeh që nga koha e Bashkisë së Tiranës, e di që e ka menaxhuar pushtetin së bashku me bandat. Për rrjedhojë është në interes publik për ta përzënë edhe nga qeveria. Ja ku e kemi sot PS, e cila është e uzurpuar totalisht dhe është në një kapje totale të shtetit. Ajo që është më e rëndë është se Rama kontrollon çdo pushtet. Mbi të gjitha kjo krizë e rëndë shoqërore, shumëplaneshe, rikompozohet vetëm në një gjë, me zgjedhje të parakohshme”, tha ai.

Ish-deputeti komentoi edhe largimin e qeverisë. Bylykbashi tha se është e vështirë të mbahet një qeveri që i ka humbur legjitimiteti.

“Sigurish që mund të rrëzohet. Por problemi është kush mund ta mbajë një qeveri që i ka humbur legjimiteti. Askush nuk mund të mendonte se një institucion si Kuvendi mund të qëndronte pa opozitë. Që ta bëjmë të qartë, mazhoranca ka bërë dy veprime që e minuan reformën zgjedhore.Mbaj mend që në 2016, mazhoranca me kryetar Taulant Ballën e bllokuan. Kodi Zgjedhor u bë në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste, uroj shumë që nuk ua ka marrë mend shejtani dhe të ecin përpara në këtë rrugë. Është një shprehje, jepi litar të mbysë veten, me këtë shpejtësi që e ka marrë Rama, nuk do zgjasë shumë kjo histori. Zgjedhjet janë të pasigurta ka zero amandamente për këtë.”-u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb