Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ka njoftuar miratimin e rezolutës për gjendjen aktuale në Shqipëri, nga Partia Popullore Evropiane. Përmes një postimi në Facebook, Bylykbashi shkruan se PPE shpreh shqetësime lidhur me integritetin institucional të vendit, korrupsionin e mungesën e zgjedhjeve të lirë.

Po ashtu, Bylykbashi shkruan se PPE shpreh shqetësime për arrestimet dhe kufizimet e motivuara politikisht për liderët e opozitës.

“Asambleja Politike e Partisë Popullore Europiane (EPP) ka miratuar një rezolutë të fuqishme lidhur me situatën aktuale në Shqipëri, e cila pasqyron shqetësime serioze mbi integritetin institucional të vendit. EPP, ndër të tjera, shpreh brengën për korrupsionin endemik dhe për mungesën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Partia shpreh gjithashtu shqetësim të thellë për arrestimet dhe kufizimet e motivuara politikisht të liderëve të opozitës, si dhe për ngushtimin e hapësirës për opozitën brenda parlamentit, duke i minuar mundësitë e saj për të mbajtur një rol kontrollues dhe për përkeqësimin e standardeve zgjedhore.

Një tjetër shqetësim i EPP është lidhja e thellë e elitës politike dhe institucioneve ligjzbatuese me krimin e organizuar, që dëmton rëndë shtetin e së drejtës dhe integritetin e institucioneve shtetërore.

Duke vlerësuar rolin e Partisë Demokratike në përpjekjet për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, EPP ka njoftuar se do të monitorojë nga afër zhvillimet politike dhe institucionale në vend”, shkruan Bylykbashi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb