TIRANE– Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi thotë se procesi i vettingut po zbatohet me dy standarde. Në rubrikën “Opinion” në “News24”, ai tha se po bëhet selektivitet politik, ndërsa akuzon kryeministri Rama se po tenton të kapë sistemin e drejtësisë.

Sakaq, ai ka komentuar rikonfirmimin në detyrë të kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, si dhe situatën me Gjykatën Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese është themeli i garantimit të së drejtës dhe shtetit ligjor, dhe kur bie themeli, ngrehina ka rënë. Sot Gjykata Kushtetuese është e vdekur, kanë lënë kryetarin për ta mbajtur derën hapur”, tha deputeti demokrat.

Më tej, ai shtoi se: “Po kështu situata paraqitet e vështirë edhe më Gjykatën e Lartë. Por për një vit mund të kemi probleme edhe me Gjykatën e Apelit për shkak të vettingut, pasi shumë gjyqtarë mund të rezultojnë të korruptuar. Nëse ata largohen nga sistemi, atëherë gjykatat e nivelit të parë duhet të ulin tempin, pasi s’do ketë apel. E nëse kjo ndodh, ku do të drejtohen qytetarët për çështjen e tyre? Ndaj kjo do të sjellë në rënie të sistemit të drejtësisë”.

Lidhur me çështjen e Ligjit të Magjistraturës, Bylykbashi tha se PD nuk do të lejojë kapjen e sistemit të drejtësisë, pasi sipas tij, kjo gjë po tentohet të bëhet edhe me Shkollën e Magjistraturës.

“Shkolla e Magjistraturës nuk është një organ kushtetues, dhe ne që në fillim kërkuam që votimi mos të bëhen me shumicë të cilësuar, me 3/5. Kjo u bë me qëllim kapjen, pasi synojnë të çimentojnë kapjen e Shkollës së Magjistraturës. Kjo sepse kjo shkollë do të krijojë fidanët e gjyqtarëve të ardhshëm. Ne nuk do ta lejojmë që Rama të kapë sistemin e drejtësisë. Për këtë mban të bllokuar edhe ngritjen e SPAK”, tha deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb