DURRES

Pa mbushur 5 vite nga inagurimi by pass i Durrësit është kthyer në një rrugë të rëndomtë me mungesa të theksuara në senjalistikë dhe me një asfalt të plasaritur keqazi  dhe vende vende të arrnuar akoma më keq që dëshmon cilësinë e dobët të punimeve si dhe mungesën e mirëmbajtjes.

Bashkë me kapakët grabitësit kanë menduar të zhvasin edhe senjalistikën fosforeshente dhe në disa pjesë gardrrelat duke lënë pas vetëm gjurmët e bazamentit ku dikur montoheshin.

Ajo që të habit është informacioni që ARRSH ka për këtë segment rrugor dhe gjendjen ku ai ndodhet si shkak i mungesës së mirëmbajtjes. Në informacionin e përcjellë redaksisë së News24 autoriteti më i lartë që ka në pronësi rrugët kombëtare, deklaron se pikërisht segmenti i by passit të Durrësit i nënshtrohet mirëmbajtjes rutinë të përditshme, që përfshin kontrollin e vegjetacionit, pastrimin e kanaleve të drenazhit, zëvendësimin e sinjalistikës ekzistuese jo funksionale, mbushjen e gropave etj. Fakte këto që hidhen poshtë nga vetë banorët e zonës.

Por gjithcka duket e vogël para faktit tjetër tronditës. Netëve kjo pjesë e rëndësishme e autostradës Tiranë-Vlorë zhytet në terr të plotë si shkak i mosfunksionimit total të sistemit të ndriçimit.

Në kushtet e errësirës së plotë pusetat e shimbledhësve pa kapakë kthehen në ‘kurthe vdekjeprurëse’ si për shoferët dhe për përdoruesit e ciklomotorëve dhe bicikletave.

ARRSH deklaron se është në dijeni të plotë të problemit që thotë se ka ardhur si shkak i grabitjes masive kabllit që furnizon me energji shtyllat e ndricimit.

Në informacionin e përcjellë Autoriteti Rrugor Shqiptar premton shtrirjen e linjës së re të furnizimit me kabëll alumini si masë parandaluese për të patur vjedhje të tjera, si dhe riparimin e cdo defekti dhe problematike tjetër që ka lidhje me ndricimin.

Po si të mos mjaftojnë problemet që thamë prej një viti nuk funksion një prej semaforëve më jetik që i mundëson një komuniteti të tërë që jeton matanë rrugës të kalojë në anën tjetër të saj. Të gjendur në një situatë të tillë të pakumtimtë pa mbikalim dhe pa semafor qytetarët nuk kanë zgjidhje tjetër vecse të sfidojnë fatin, veprim që jo pak herë e kanë paguar me jetë.

Për ndërtimin e rrugës 5 kilometra të gjatë që lidh dy arteriet më të rëndësishme rrugore jug veri u deshën 5 vite, 2009-2015 si dhe 12 milion dollarë nga buxheti i shtetit.

Rruga është e gjerë 2 herë 3.75 metra për sens lëvizje dhe ka vetëm dy mbikalime për këmbësorë një pranë hyrjes së Shkozetit dhe një në dalje pranë plepave ku ka një numër të pakët përdoruesish.

Zyrtarisht qeveria shqiptare ka nënkontraktuar që prej vitit 2015 disa kompani për mirëmbajtjen e rrugëve kombëtare ku bën pjesë edhe  bypass i Durrësit. Kontratat nuk u bënë kurrë publike në media dhe as detyrimet që kompanitë kishin kundrejt ARRSH-së.

Jo zyrtarisht mësohet se kompanitë e nënkotraktuara kanë detyrimin bazik që të kryejë mirëmbajtje parandaluese që ka të bëjë me mirëmbajtjen rutinë, atë dimërore dhe të emergjencës.

Mirëmbajtja rutinë nënkupton punimet e vogla të bëra rregullisht që kanë për qëllim ruajtjen e integritetit strukturor të rrugës, sigurinë dhe parandalimin e shkatërrimit.

Por në 2017 qeveria vendosi të rishikonte kontratat e lidhura me argumentin se kompanitë nuk kishin zbatuar detyrimet kontraktuale.

Në të njëjtin vit u lidhën në fshehtësi të plotë 4 kontrata të reja mirëmbajtjeje për një afat 4 vjecar që përfundojnë në vitin 2021. Projekti  kap vlerën 128.47 milionë euro, ku 65 milionë euro financohen nga Banka Botërore, dhe 62.57 milionë euro nga qeveria shqiptare.

Për të bindur opinionin publik se paratë e takspaguesve këtë herë nuk do të shkonin dëm, vetë kryeministri në një takim të zhvilluar në Durrës do të garantonte suksesin e plotë të projektit, teksa me gojën plot do t’i cilësonte 4 kompanitë e përzgjedhura si më të besuarat në treg, e mes tyre edhe kompania Salillari që ka në ngarkim by passin e Durrësit.

Nga kjo deklaratë e kryeministrit ka kaluar më shumë se një vit, kohë e mjaftueshme për të sjellë ndryshimin e premtuar në by passin e Durrësit porse realiteti kokëfort në terren tregon kryekëput të kundërtën.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb