NGA ZONJA VJOLLCA

 

Për petët:

70 gr niseshte

125 gr miell

350 ml ujë

Kripë

 

Për mbushjen:

150 gr mish derri

1 kokërr vezë

2 qepë të njoma

1 karrotë

1 degë selino

90 gr lakër

1 lugë gjelle vaj kikiriku

2 lugë gjelle salcë soje

 

Për skuqje:

Vaj kikiriku

 

Për të përgatitur byreçkat fillimisht bashkojmë në një tas miellin me niseshten, më pas shtojmë kripë dhe ujë të vluar. E punojmë mirë brumin dhe e lemë të pushojë për 30 minuta. Ndërkohë përgatisim mbushjen: Pastrojmë selinon dhe e presim në shirita shumë të gjate rreth 6 cm, të njëjtën gjë bëjmë me karrotën, qepët e njoma dhe lakrën. Mishin e derrit e presim në kubikë të vegjël. Në një tigan të nxehur vendosim një lugë vaj kikiriku, shtojmë mishin e derrit  dhe e kauërdisim për disa minuta, më pas shtojmë karrotat, selinon dhe pjesën jeshile të qepëve. E rregullojmë me salcë soje dhe e lemë të gatuhet për disa minuta (derisa perimet të jenë gatuar mjaftueshëm). Në fund shtojmë lakrën e cila do më pak kohë të gatuhet si dhe një kokërr vezë. E lemë për 2-3 minuta në zjarr të ulët. Në një tigan zjarrdurues (ku realizojmë krepa) hedhim pak vaj kikiriku, më pas vendosim pak nga brumi i përgatitur për petët. Veprojmë njësoj sikur bëjmë krepa, me një brumë sa më të hollë me diametër rreth 18 cm (petët duhet të jenë gati gati transparente). Pasi të mbarojmë punë me të gjithë brumin, fillojmë të përgatisim involtinit. Vendosim një lugë mbushje në gjysmën e poshtme të çdo flete, e palosim në formën e një xhepi më pas e rrotullojmë. Me anë të një furçe e lyejmë me pak miell të trazuar me ujë. Nxehim mirë vajin e kikirikut në tigan dhe kur nxehtësia në tigan të jetë 180 gradë skuqim byreçkat e përgatitura. I servirim të ngrohta shoqëruar me salcë soje.

(d.b/Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb