Nga: ZONJA KATERINA

1 pako peta, 500 gr kërpudha të freskëta, 150 gr kërpudha të thata, 1 qepë të thatë, 1 qepë të njomë, 1 thelpi hudhër, 2 lgj vaj ulliri
Kripë, piper

Beshamel:
2 lgj gjalpë, 2 lgj miell, 2 gota qumësht, 100 gr djathë të verdhë, Arrë moskat

Vendosim kërpudhat e thata në ujë. Ndërkohë kaurdisim qepën e thatë së bashku me qepën e njomë dhe 1 thelpi hudhër të grirë imët. Sapo qepa të fillojë të bëhet transparente shtojmë kërpudhat e freskëta dhe i kaurdisim lehtë derisa të zbuten pak. Më pas shtojmë lëngun(ujin) ku kemi vendosur kërpudhat e thata dhe vazhdojmë kaurdisjen dhe për pak minuta. Shtojmë dhe kërpudhat e thata të cilat janë zbutur tashmë, i trazojmë të gjithë përbërësit dhe e largojmë tiganin menjëanë që mbushja që do të përdorim për byrekun të ulë temperaturën.

Ndërkohë përgatisim beshamelin duke kaurdisur fillimisht miellin me gjalpin. Më pas shtojmë qumështin dhe e lemë derisa të marrë valë dhe masa të bëhet kremoze, në fund shtojmë pak arrë moskat dhe djathin e verdhë të grirë në rende.

Pasi mbushja me kërpudha të jetë ftohur plotësisht e trazojmë me beshamelin dhe fillojmë realizojmë byreçka në formë kërmilli. Hapim një petë në tavolinën e punës dhe e spërkasim me pak yndyrë (qumësht dhe vaj). Vendosim 1-2 lugë nga mbushja me kërpudha dhe më pas e mbledhim petën duke e rrudhosur. Kështu vazhdojmë me rradhë derisa të mbushim tavën. E vendosim më pas byrekun të piqet në furrë në temperaturën 180 gradë Celsius për 15 -20 minuta.
(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb