Nga Zonja Katerina
Përbërësit

4-5 peta byreku, 2 filxhanë oriz , 2 qepë të thata, 2-3 qepë të njoma, 1 tufë koper, 1 tufë majdanoz, 2-3 vezë, 2 gota qumësht, 2 gota ujë, 5-6 lgj vaj ulliri
Kripë, piper.

Përgatitja

Grijmë qepët e thata dhe qepët e njoma imët. Vendosim fillimisht qepët e thata të kaurdisen më pas shtojmë qepët e njoma dhe i kaurdisim për 1-2 minuta duke shtuar kripë dhe piper. Më pas shtojmë orizin e larë, erëzat dhe ujin e ngrohtë. I përziejmë lehtë të gjithë përbërësit dhe i lemë sa të përthithen pak lëngjet.

Lyejmë një tavë me pak vaj, shtrojmë 2-3 peta dhe hedhim masën e përgatitur duke e hapur në të gjithë tavën. Rrahim vezët me qumështin e ngrohtë dhe e shtojmë tek byreku duke tundur tavën që të depërtojë masa e lëngshme. E mbulojmë me 1 ose 2 petë duke i rrudhosur (nëse petët i kemi hapur vetë do të na duhet vetëm 1 petë, nëse i kemi të gatshme përdorim 2 petë). E spërkasim në fund byrekun me vaj dhe me pak qumësht ose ujë dhe e vendosim në furrë të piqet në temperaturën 180 gradë Celsius për 45-50 minuta.

(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: