Profesori dhe gazetari Enver Bytyçi i ftuar në emisionin “A Show” në “News24” drejtuar nga gazetari Adi Krasta u shpreh se qeveria shqiptare sot është antihumane, antidemokratike dhe antiliberale.

“Mund të them se ekzistojnë gazetarët e oborrit, ata që shohin interesin personal dhe jo interesin e publikut. Personalisht nuk kam frikë nga pushtetet. Pushteti i fortë nuk godet vetëm gazetarët, por edhe qytetarët, çdo pjesë jete. Ky sot është një pushtet që shpërdoron pasurinë kombëtare shqiptare. Hitleri kur erdhi në pushtet, ndryshoi Kushtetutën dhe ia dha pushtetin qeverisë , këtë metodë po zgjedh dhe kjo qeveri. Qeveria ka dalë jashtë ekuilibrave. Kjo është një qeverisje antihumane, antidemokratike, antiliberale”, tha profesor Bytyçi.

Enver Bytyçi theksoi se kur thotë se kjo qeveri është antidemokratike, ka parasysh këtu forcën që përdor pushteti, gazin lotsjellës. Ai tha se nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e Shqipërisë që pleq, gra e fëmijë të helmohen me gaz lotsjellës.

“Nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e Shqipërisë që pleq, gra e fëmijë të helmohen me gaz lotsjellës. Nuk ka ndodhur në historinë e Shqipërisë që dikush të burgoset dhe të marrë veten inat pse nuk ka për të paguar energjinë elektrike. Të burgosësh për energjinë elektrike është e tmerrshme, të burgosësh për copën e bukës nuk ka ndodhur ndonjëherë. Kjo ka ndodhur për shkak të maxhorancës arrogante”, tha Bytyçi.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb