Triumfi në Superkupë ishte një iluzion i bukur. Sigurisht, Milan e meritoi atë trofe, por është e qartë që trajneri Conceiçao ka nevojë për përforcime. Cagliari zbuti “djallin” duke i marrë një pikë brenda në “San Siro” pas barazimit 1-1, një ndeshje e cila nxori edhe një herë në pah limitet e kuqezinjve. Në këto kushte, Ibra dhe pjesa tjetër e stafit drejtues duhet të nxitojnë për të gjetur zgjidhje në janar.

Dy janë objektivat e tij kryesor, gjetja e një sulmuesi të ri, ku emri i parë në listë është Marcus Rashford, dhe një mbrojtës, për këtë objektiv prioritet është anësori i Man.City, Kyle Walker. Për të arritur te Rashord, Milan është i detyruar të shes, për këtë arsye kanë nxjerr në shitje Okafor.

Sulmuesi ka “fluturuar” drejt Gjermanisë për të mbyllur transferimin e tij te Leipzig. Bëhet fjalë për një huazim me detyrim blerje në fund të sezonit për 25 milionë euro. Me paratë e fituara nga largimi i Okafor, Milan do të hidhet në sulm për të mbyllur transferimin e Rashord.

Në lidhje me Walker, mediat angleze bëjnë me dije se Ibra do të përpiqet ta mbyll brenda këtyre ditëve transferimin e anësorit anglez, madje Telegraph zbulon edhe disa detaje. Palët kanë gjetur një akord verbal për një kontratë për 2,5 vite, e vlefshme deri më 30 qershor 2027.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb