Mëngjesin e sotëm i ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24 është mjeku Luçiano Bardhi, i cili ka dhënë këshilla se si mund të përgatisim organizmin në mënyrë që ngarkesa ushqimore që marrim natën e vitit të ri, të suportohet më lehtë nga organet dhe trupi të mos “mërzitet”.
Kujdes sipas mjekut duhet të tregojnë pacientët me sëmundje kronike të veshkës dhe dhjamosje të mëlçisë
“Pacientët që kanë sëmundja kronike të veshkës dhe mëlçisë, nuk mund të konsumojnë ushqime me nivele të larta proteinash. E mira është që të përgatisim organizmin për të përballuar fluksin e ushqimit, duke konsumuar për shembull gjatë ditës çaj bliri, çaj trumzë, sherebelë që mëlçia e veshka kur të marrim teprica ushqimi të kenë disa “ushtarë” për të përballuar ngarkesën.
Mund të përdorim edhe turshi, kryesisht panxhari, kastraveci dhe lakre. E mira është që të hapet darka me një supë të lehtë psh me krem kungulli apo karrote, e di që njerëzit nuk do të jenë dakord, që të përgatitet organizmi, sikur dy lugë supë. Duhet konsumuar edhe uthull molle dhe argjinare në sallatë, madje në përgatitje të sallatës e mira është të jetë edhe shegë, limon, portokall, mollë. Çaji i trëndafilit të egër është një tjetër komponent që ndihmon tretjen”, tha ai.
Mjeku Bardhi apeloi për kujdes edhe për ushqimet të cilat kanë përmbajtje të lartë sheqeri.
“Kujdes me alkoolin, është si minë me sahat. Ushqimet toksike konvertohen në alkool, nivelet e larta të sheqerit, pijet energjike, konvertohet në alkool dhe mund të bëhemi edhe agresivë me familjarët.
Ne nuk jemi ajo që hamë por atë që tresim. Nëse nuk tresim atë që hamë ne sëmuremi”, përfundoi ai.
(BalkanWeb)