TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka folur pas delegimit të kompetencave të ministrit të Jashtëm nga kryeministri Edi Rama tek Gent Cakaj. Meta tha nga Kamza se si President i Republikës respekton Kushtetutën dhe e ka të qartë se cilit institucion mund t’i delegojë autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshjet.

“Presidenti nuk ndërhyn dhe nuk komenton për aktet e organizimit të brendshëm të ekzekutivit apo të ministrive. Unë si President i Republikës respektoj Kushtetutën dhe i kam shumë të qarta kompetencat e mia se cilit institucion mund t’i delegoj autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshjet ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Kreu i Shtetit.

Ndonëse u betua dje para Presidentit Meta si ministër i Jashtëm, sot kryeministri Edi Rama ia ka deleguar këtë detyrë Gent Cakajt, itë cilin Kreu i Shtetit e refuzoi si kandidaturë për këtë post. Pasi mori fjalën para të pranishmeve, kreu i qeverisë tha se ky ishte fjalimi më i shkurtër i jetës së tij.

“Fjala më e shkurtër e jetës time. Unë nënshkruari Edi Rama në funksionon e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, i delegoj zotit të Gent Cakaj, zv/ministër për Punët e Jashtme, detyrën e drejtimit të ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme dhe të përfaqësimit të ministrit brenda dhe jashtë vendit”, tha Rama, ndërsa më pas i dorëzoi Cakajt dekretin e presidentit Ilir Meta.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb