TIRANË

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ka dalë sot para mediave për të folur pas deklaratave të Këshillit të Europës dhe anulimit të vëzhguesve nga Kongresi i autoritetit lokal dhe rajonal për zgjedhjet e 30 qershorit.

Cakaj tha se qëndrimi i opozitës dhe fushata e nisur prej saj nuk ka lidhje me realitetin.

Sipas tij, Kongresi nuk ka dhënë ndonjë deklaratë në mohim të së drejtës për mbajtjen e zgjedhjeve ndërsa KiE sot foli qartë se zgjedhjet duhet të mbahen më 30 qershor sipas legjislacionit.
“Tre ditë para zgjedhjeve vendore, dy grupe kundër reformës në drejtësi, një parti që ka humbur cilësinë demokratike kanë ndërmarrë një fushatë sikur KiE është kundër zgjedhjeve.
Ky qëndrim nuk ka lidhje me realitetin dhe të vërtetën. Komunikimi nuk përbën qëndrim zyrtar të KiE. Kongresi i autoritetit lokal dhe rajonal ndryshe nga Këshilli i Ministrave është një institucion këshillues brenda tij. Sidoqoftë edhe vetë Kongresi nuk ka dhënë ndonjë deklaratë në mohim të së drejtës për mbajtjen e zgjedhjeve. Kongresi nuk bën asnjë deklaratë për ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve.
Dhuna deri sot është ushtruar qartazi nga opozita kundër parlamentit. Protestat e opozitës së bashkuar kundër reformës në drejtësi dhe hapjes së negociatave kanë treguar se në rast se ka vullnet për ta ndalur dhunën, dhuna ndalet me njëherë. Por rreziku vjen nga vetë strukturat e partive në fjalë. Çfarëdo thirrje në deklaratën e Kongresit duhet të shohin veten në pasqyrë. Sot KiE ka folur zyrtarisht se zgjedhjet duhet të mbahen më 30 qershor në përputhje me legjislacionin”, u shpreh Cakaj.

Sipas tij, ekipet e OSBE/ODIHR janë duke kryer përgatitjet e fundit për të vëzhguar procesin zgjedhor. “Legjitimiteti ndërkombëtar i zgjedhjeve të 30 qershorit nuk është diçka që mund të vihet në pikëpyetje”, theksoi ministri në detyrë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb