TIRANE

Ish-presidenti Bujar Nishani e ka cilësuar skandaloz dhe poshtërues veprimin e sotëm të bërë nga kryeministri Edi Rama, ku ky i fundit delegoi Gent Cakajn në postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme.

Në një reagim në ‘Facebook’ Nishani shton se: “Sjellja e njeriut që mban vulën e kryeministrit të vendit ishte akti më poshtërues ndaj shtetit shqiptar, ndaj institucioneve të këtij shteti”. Sipas Nishanit fjalimi i Ramës ishte më poshtëruesi përgjatë tërë historisë së shtetit shqiptar. Kandidatura e Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm shkaktoi përplasje në distancë dhe prodhoi deklarata mes Ramës dhe Metës, pasi nga Presidenti refuzoi që ta dekretonte.

REAGIMI I NISHANIT

Fjala e Kryeministrit të Shqipërisë dhe veprimi i tij sot në një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit shqiptar siç është Ministria e Jashtme, ishte kulmimi i modelit më skandaloz, poshtërues, të turpshëm dhe i dënueshëm, përgjatë tërë historisë së Shtetit Shqiptar.
Sot, sjellja poshtëruese dhe shkatërruese ndaj shtetit tonë ja kalojë më në fund dhe asaj të diktaturës që ishte më kriminalja, më xhánavarja dhe më injorantja e shekullit modern evropian.
Nuk kishte se si ndodhte ndryshe.
Gjenerata e dytë e aktorëve më të egër të diktaturës veç se do ta rilindnin përbuzjen dhe xhánavarizmin e tyre ndaj shtetit dhe vendit. Ata mbeten “tóidhjo” me baballarët e tyre.
Sjellja e njeriut që mban vulën e kryeministrit të vendit ishte akti më poshtërues ndaj shtetit shqiptar, ndaj institucioneve të këtij shteti.
Pushteti që ai mori dhe transferoi nuk ekziston.
Ai sajoi sot një pushtet ilegal.
Ai ushtroi dhunën më poshtëruese ndaj shtetit, sistemit, rregullave demokratike, qytetarëve shqiptarë.
Po aq mjerante ishte edhe sjellja e një djali të ri sot, i cili duke pranuar poshtërimin mori përsipër të transportojë minën ndaj Shtetit Shqiptar.
Ky do të jetë Ministri i Jashtëm i “dekretuar” nga një kryeministër dhe i pavotuar nga Parlamenti.
Imagjinoni tani se çfarë serioziteti, integriteti dhe profesionalizmi do të përçojë ai si përfaqësues i politikës së jashtme të Shqipërisë.
Papërgjegjshmëria e bashkëngjitjes së tij ndaj dhunës së Kryeministrit degradoi deri në të paimagjinueshmen.
Deri në pantomima mesjetare përpara korpusit diplomatik shqiptar.
Por, mund të kishim parë edhe më keq! Mbartësi i imazhit të përfaqësimit ndërkombëtar të Shqipërisë mund edhe të ishte urdhëruar ta çonte dorën diku gjetkë se në vend të hundës.
Dizenjatori e kishte lëvizur në këtë rast pak gjeografinë e kultit të tij. Tashmë dilema nuk është më tek modeli skandaloz dhe i dhunshëm i një njeriu por se sa shqiptarë do ta pranojnë këtë dhunim, poshtërim, asgjësim të shtetit të tyre?
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb