Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, mori pjesë në takimin e Forumit Rajonal të Unionit për Mesdheun, në Barcelonë.


Fokusi i këtij Forumi ishte konsolidimi i bashkëpunimit euro-mesdhetar në tre shtylla kryesore: zhvillimin e burimeve njerëzore, stabilitetin e përgjithshëm shoqëror dhe politik dhe integrimin e mëtejmë rajonal.


Kreu i diplomacisë shqiptare përmes një komunikimi në facebook ka nënvizuar se: “Shqipëria nëpërmjet kryesimit të Grupit të Kontaktit të Mesdheut synon rritjen e ndërveprimit mes vendeve të këtij rajoni dhe Ballkanit Perëndimor në fusha si forcimi i rolit të gruas në shoqëri, veprimi i përbashkët për ndryshimet klimaterike dhe përfshirja më shumë e të rinjve në politikat zhvillimore në përgjithësi.”


Gjatë takimeve të zhvilluara në kuadër të këtij Forumi, Ministri në Detyrë Cakaj ka ftuar përfaqësuesit e lartë të vendeve të Mesdheut për të marrë pjesë në Konferencën e Grupit të Kontaktit të OSBE-së që do të zhvillohet në datat 24-25 tetor në Tiranë.

“Shqipëria vazhdon të intensifikojë angazhimet e saj diplomatike dhe forcojë rolin e saj në arenën ndërkombëtare.” – ka përfunduar Cakaj.

(d.xh/Balkanweb)