TIRANE

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, avokati Spartak Ngjela komentoi vendimin e presidentit Ilir Meta për të mos dekretuar Gent Cakajn si ministër të jashtëm si dhe debatin e shkaktuar. Ngjela tha se i gjithë problemi është tek ndryshimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, pasi Gent Cakaj ka thënë se është pro.

“I gjithë problemi është tek ndryshimi i kufijve. Për çfarë i duhen Ramës territoret e Kosovës? Interesi kombëtar nuk është mendimi i kryeministrit. Nëse ky donte të vinte një njeri nga Kosova tek ministria të vendoste një intelektual dhe akademik. Ky merr atë që ka mendimin për ndërrimin e territoreve. Territorin nuk e lëviz askush sepse është doktrina ‘Klinton’. Problemi është se Trump i dërgoi letër presidentit Vucic dhe i tha se do ta pësosh keq. Nuk ishte letër me falënderime, por Trump thoshte zgjidhe këtë problem se do e pësosh keq. Gent Cakaj është shprehur pro ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi. Amerikanët merren vetëm me mazhorancën.  Ne shohim se Amerika nuk e do ndërrimin e  territoreve”- tha Ngjela.

I pyetur nëse janë acaruar marrëdhëniet mes presidentit dhe kryeministrit, pas vendimit për të mos dekretuar Gent Cakajn, Ngjela tha se Rama di të kërcënojë në mënyrë diplomatike.

“Rama di të kërcënojë në mënyrë diplomatike. Ai qesh si nusja në duvak. Ne nuk po shohim këtë politikë. Ky është niveli i politikës, por nuk dimë cili është interesi kombëtar në këtë mes. Nëse është problemi i ndërrimit të kufijve, ai nuk është çështje kombëtare”- thotë Ngjela.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb