Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj gjatë një konference për shtyp me kreun e sekretariatit të OSBE-së Thomas Greminger tha se po punohet për një Kryesi shqiptare të suksesshme të Organizatës në vitin 2020.

“Për Shqipërinë, marrja e kryesisë së OSBE-së për vitin 2020, është procesi më i rëndësishëm në historinë e angazhimeve multilaterale që nga anëtarësimi në NATO,” u shpreh Cakaj.

Cakaj tha se gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm ishte biseduar mbi elementë për një bashkëpunim të ngushtë i cili do të vazhdojë edhe gjatë Kryesisë shqiptare 2020.

“Po punojmë fuqimisht në tre aspekte: atë politik, financiar dhe të burimeve njerëzore. Së pari, aspekti politik ka të bëjë me finalizimin e prioriteteve. Së dyti, qeveria po vë në dispozicion të gjitha burimet financiare të nevojshme për një mbarëvajtje sa më të mirë të kryesimit. Së treti, tashmë kemi emëruar diplomatët më të mirë e më të përkushtuar si në Misionin tonë në Vjenë, ashtu dhe në Task Forcën e ngritur në Tiranë për këtë qëllim,” tha Cakaj.

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj u shpreh se marrja e kryesisë së OSBE-së është një përgjegjësi e madhe por e merituar nga Shqiperia.

Cakaj vlerësoi gjithashtu edhe punën e Pranisë së OSBE-së në Tiranë.

Nga ana e tij Thomas Greminger vlerësoi lart përgatitjet e Shqipërisë për Kryesimin e OSBE-së.

“Dëshiroj të vlerësoj përgatitjet e Shqipërisë dhe vendosjen e tonit të duhur nga ana e Ministrit Cakaj gjatë paraqitjes të kuadrit paraprak të prioriteteve në Vienë,” tha Greminger.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: