Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ka dalë sot në një konference për mediat pas vendimit të Këshillit të Ministrave të BE për shtyrjen e vendimit për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE.


Cakaj pranoi shtyrjen e vendimit për negociatat dhe theksoi se nuk është një lajm inkurajues për Shqipërinë. Sipas tij, vendimi i Këshillit erdhi pasi raporti i KE u publikua me vonesë.

“Shqipëria nuk mund të përcaktojë axhendën e vendimmarrjes së Këshillit por mund të përmbushë të gjitha kushtet teknike. Ndaj duke u mbështetur edhe në zotimin e prerë të Këshillit, jo për të diskutuar në tetot nëse negociatat do të hapen apo jo por për të marrë një vendim të prerë, Shqipëria mbetet shpresëplotë për një vendim pozitiv në tetor. Shpresa jonë duhet të marrë trajtën për një angazhim pozitiv. Shtyrja e vendimmarrjes sidoqoftë nuk është një lajm inkurajues për Shqipërinë”, deklaroi Cakaj.


Ministri në detyrë tha se “shtyrja e vendimit për hapjen e negociatave për anëtarësim për një moment tjetër jo më larg se muaji tetor, vjen drejtpërdrejt nga mungesa e kohës së mjaftueshme për vendimmarrje të përgjegjshme, veçanërisht për shkak të procedurave të brendshme të disa vendeve anëtare”.


“Konkluzionet bëjnë tërësisht të qartë se në mungesë të kohës së mjaftueshme dhe të rëndësisë së çështjes, vendimi për hapjen e negociatave duhet të merret jo më larg se tetori 2019”, – tha Cakaj.

Ai theksoi se “raporti i Komisionit Europian është publikuar me vonesë në fund të muajit maj, duke lënë pothuajse më pak se 3 javë kohë për reflektim mbi rekomandimet e Komisionit”.
Kjo vonesë, tha ai, po manifestohet edhe në vonesën në vendimmarrjen e Këshillit.
“Raporti i Komisionit është referenca qendrore dhe dëshmia e patjetërsueshme se Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të filluar procesin e bisedimeve për anëtarësim. Shqipëria nuk e përcakton axhendën e vendimmarrjes së Këshillit, por përmbush të gjitha kushtet teknike të paraqitura”, – tha Cakaj, duke theksuar se Shqipëria mbetet shpresëplotë për një vendim në muajin tetor.

Cakaj tha se Shqipëria e ka merituar hapjen e negociatave në qershor, por u shpreh shpresëplotë se në muajin tetor do jetë pozitiv.
Ai shprehu bindjen se afati i caktuar në raportin e publikuar nga KE shmang rrezikun për një shtyrje tjetër të marrjes së vendimit.

“Në këtë periudhë përpjekjet tona duhet të shtohen për një produkt pozitiv në tetor. Shqipëria duhet të vazhdojë përkushtimin dhe përpjekjet për të marrë vendimin e shumëpritur për nisjen e procesit për anëtarësimit. Shqipëria ka shmangur suksesshëm vendosjen e kushteve të reja. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, gjykuar mbi meritat e tyre të veçanta do të vazhdojnë para të pandara”, – tha Cakaj.

Sipas tij “mbajtja e zgjedhjeve vendore në datën 30 qershor duhet të jenë dëshmi e qëndrueshmërisë politike”. “Zgjedhjet e 30 qershorit nuk janë vetëm zgjedhje vendore, por janë pjesë e një prove kolektive dhe institucionale në shërbim të axhendës së Shqipërisë”, tha Cakaj.

Sipas tij, “Shqipëria duhet të vazhdojë me hapa të qëndrueshëm e të qartë”. “Shqipëria duhet të ketë rezultate të reja pasi është vënë në një sprovë për ruajtjen e qetësisë së brendshme. Sprova e saj është për të përçuar mesazhe proeuropiane. Shqipëria duhet të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbajtjen e zgjedhjeve në 30 qershor, si dëshmi e qëndrueshmërisë politike. Ato nuk janë vetëm zgjedhje vendore, por pjesë e një sprove për të dëshmuar cilësinë e proceseve demokratike. Në datën 30 qershor, por edhe gjatë gjithë kësaj periudhe të quajtur krize, nuk do ketë ballafaqim të grupeve të ndryshme politike, por gjatë kësaj periudhe ka pasur përballje të dy grupimeve të ndryshme, mes atyre që punojnë për hapjen e negociatave dhe atyre që kanë zgjedhur të cenojnë rendin kushtetues për të shpëtuar nga Reforma në Drejtësi”, – tha ai.

Sipas Cakaj, “objektivi për anëtarësim është një ambicie madhore strategjike e Shqipërisë në përgjithësi”. “Qeveria është e përkushtuar të japë më të mirën nga vetja. Në politikë, ashtu si në jetë, në përgjithësi për vendimet e drejta nuk është vonë asnjëherë”, – tha Cakaj.

(BalkanWeb)