Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me Ministrin për Çështjet Evropiane dhe të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grlić Radman.

Ky takim kishte në fokus bashkëpunimin dypalësh me theks të veçantë shtimin e përpjekjeve për të nxitur ndërlidhjen ekonomike, mobilitetin kulturor e rinor dhe zhvillimin e brezit Adriatik.

Në këtë kuadër të dy bashkëbiseduesit riafirmuan angazhimin e përbashkët për vazhdimin e projekteve të rajonit nëpërmjet Korridorit Blu dhe Linjës së Gazit Joniano-Adriatik.

  • foto galeri
  • foto galeri

Në një postim në facebook, Ministri Cakaj u shpreh: “Në shërbim të thellimit të bashkëpunimit rajonal, u dakordësuam parimisht për fillimin e takimeve trilaterale mes Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe Kroacisë. Një bashkëpunim i tillë, krahas përfitimeve të drejtpërdrejta, do të jetë edhe në shërbim të frymës euroatlantike të rajonit”.

“Në fund, Kroacia sot ka dhënë një mesazh të fuqishëm në përkrahje të aspiratës evropiane të Shqipërisë jo vetëm duke e mbështetur hapjen e negociatave për anëtarësim në tetor, por edhe duke e vendosur procesin e negocimit të Shqipërisë në qendër të Konferencës Ballkanike në kuadër të Presidencës Kroate të Këshillit të BE-së 2020”, përfundoi Cakaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb