Një lajm i keq për Interin që mund të përkthehet në një shans ideal për mesfushorin e kombëtares tonë Kristjan Asllani. Po flasim për mesfushorin turk të zikaltërve Hakan Çalhanoglu, i cili do të qëndrojë jashtë fushave të lojë për të paktën 2 javë. Arsyeja? Klubi nga Milano ka dalë me njoftim zyrtar ditën e hënë teksa ka theksuar se Çalhanoglu ka pësuar një tjetër dëmtim, gjatë stërvitjes së tij indidivuale. Ai i’u nënshtrua testeve klinike dhe instrumentale, të cilat evidentuan një tendosje të lehtë në shputën e këmbës së djathtë. Parashikimet optimiste flasin për një rikthim të tij para sfidës derbi që do të zhvillohet në 2 Shkurt. Zikaltrit shpresojnë ta kenë turkun në stol të paktën për sfidën e fundit në Champions League, ajo që do të zhvillohet më 29 Janar ndaj Monacos, në San Siro.
Në këto kushte duke nisur nga sfida për t’u rikuperuar të mërkurën në mbrëmje ndaj Bolognës, teks Inter në kabinën e regjisë do të jetë Kristjan Asllani. I shumëkritikuari pas sfidës finale në superkupë ndaj Milanit, Asllani dhuroi një paraqitje shumë pozitive ndaj Venenzias, në sfidën e së dielës, kur Inter fitoi 1-0 dhe mesfushori kuqezi ishte jo vetëm protagonist tek goli i Darmian, por luajti një ndeshje me shumë personalitet, duke ofruar siguri në repartin e mesit të fushës.
Bologna, Empoli, Sparta e Pragës në Champions dhe Lecce do të jenë ndeshjet e radhës, ku Asllani do të ketë mundësi të tregojë vlerat e tij, për të shuar njëherë e mirë kritikat mbi performancën e tij tek klubi kampion i Italisë, si dhe pse jo për t’i dhënë vetes mundësinë të jetë sërish pjesë e projektit të klubit zikaltër edhe sezonin e ardhshëm.
Ndërkohë më shumë hapësira pritet të ketë edhe për dy mesfushorët e tjerë Zielinski dhe Frattesi, pasi krahas Çalahanoglu nuk do të jetë i gatshëm as armeni Mkihtarian. Ndërkohë lajme të mira nga reparti i mbrojtjes, ku Açerbi dhe Pavard kanë nisur të stërviten me grupin e do të jenë të gatshëm për Inzaghin.