Ish-kryeministri britanik, David Cameron, i cili shpalli referendumin për Brexit-in deklaroi sot gjatë një interviste se nuk do të përjashtonte mundësinë e një votimi të dytë lidhur me këtë çështje.

“Unë nuk po them se do të ndodhë ose duhet të ndodhë. Unë po them vetëm që nuk mund t’i përjashtoni gjërat tani, sepse ne duhet të gjejmë një mënyrë për të kaluar ngërçin”, deklaroi Cameron për të përdtshmen britanike “The Times”.

Ndërkohë që politika britanike është përfshirë nga mosmarrëveshjet mbi mënyrën sesi do të zbatohet referendumi i 2016, ku 52 përqind e publikut votuan për të lënë Bashkimin Europian, në javët e fundit thirrjet për një votim të dytë janë rritur.

Britania e Madhe ka vendosur të largohet nga unioni më 31 tetor, ndërsa kryeministri aktual Boris Johnson zotohet se do ta bëjë këtë edhe nëse nuk ka ndonjë marrëveshje për të rregulluar daljen e vendit.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb