Dita e sotme do të jetë speciale për Lorik Canën. Kapiteni i Kombëtares shqiptare do të luajë në një stadium që disa vite më parë ishte si shtëpia e tij e dytë. Nanta e tij do të përballet me Marsejën në “Velodrom” dhe për Canën kjo është një sfidë shumë interesante. Numri pesë i Nantës ka dhënë një intervistë për mediat franceze ku pranon faktin se vitet te Marseja ishin më të bukurat në karrierën e tij.

“Është kënaqësi e madhe për mua që do të rikthehem. U largova nga Marseja në vitin 2009, sepse dëshiroja të provoja kampionate të tjera dhe sfida të reja. Por vitet më të arta i kam kaluar këtu”, thotë Cana. Mbrojtësi i Nantës tregon edhe disa nga momentet e bukura me fanellën e Marsejës.

“Rikthimi im është shumë emocionues, sepse prindërit e mi vazhdojnë të jetojnë ende në Marsejë. Ata nuk janë larguar asnjëherë. Stadiumi do të jetë bërë edhe më i bukur, sepse në momentin kur u largova ishte duke u rikonstruktuar. Unë kam luajtur me Marsejën në shumë kompeticione, mes tyre edhe në Ligën e Kampionëve. Tani te Nanta ndihem shumë mirë dhe jam një nga lojtarët më të vjetër të skuadrës (qesh), por ndihem i vlerësuar, sepse po ndihmoj të rinjtë për t’u rritur sa më shpejt”, vazhdoi më tej Cana.

Ai ka një rekord me fanellën e Marsejës, për sa u përket kartonëve të verdhë. Gjatë kohës kur luante në “Velodrom”, është ndëshkuar plot 54 herë me karton, shifra më e lartë në historinë e klubit.

“Nuk kam frikë nga këto statistika (qesh). Unë jepja gjithmonë maksimumin në fushë dhe ndoshta për këtë jam ndëshkuar shpeshherë me karton të verdhë. Megjithatë, nuk mohohet fakti që kam kaluar shumë bukur me tifozët që ishin të zjarrtë. Edhe në Turqi dhe në Itali tifozët ishin të mrekullueshëm, por ata të Marsejës i kam në zemër. Krijojnë atmosferë mjaft të bukur në stadium”, theksoi kapiteni kuqezi.

Kjo nuk do të jetë hera e fundit që Cana luan në këtë stadium, sepse edhe gjatë Europianit ka shansin e artë për të luajtur sërish në “Velodrom” kundër Francës. Cana e ka pranuar gjithmonë që ky do të jetë një nga momentet më të bukura në karrierën e tij. Shqipëria do të sfidojë Francën, pikërisht në stadiumin dhe në qytetin që ai u rrit si futbollist./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: