Trajneri i njohur, Agim Canaj, është i ftuar në emisionin “Sport News Plus” të gazetares Daljana Sejdia ne emisionin “News 24”. Canaj ka bërë një analizë të shkurtër për atë që ndodhi në këtë javë të 22-të të Kategorisë Superiore ku u shpreh:
“Kampionati po tregon që diferencat janë të vogla. Rezultatet tregojnë që ai që po gabon më pak është më i favorizuari. Këtë javë më i favorizuar doli Teuta. Humbja e Partizanit ishte në aspektin psikologjik. Sot e tregoi qartë se e ka të vështirë me skuadrat që mbrojnë mirë.
Ecuria e mira sikur e fshehu elementin negativ të Partizanit. Laçi në fushën e tij është një ekip shumë i fortë. Sot tregoi që di të luaj futboll të fortë. Lufta nuk është mbyllur, një skuadër shumë e fortë si Partizani, sot duhet të tregonte diçka më tepër. Kampionati është i hapur. Nuk dihet se çfarë mund të ndodhë. Diferencat mes skuadrave janë të vogla. Vështirësia është e madhe dhe për vendin e parë”.
Si e shihni Teutën?
Në 3 ndeshjet e tjera, pashë një Teutë që e kishte humbur thelbin. Por, ndaj Kukësit tregoi që është një skuadër me cilësi, duke përmbysur rezultatin. Ndërthurja e skuadrës të jep shpresë. Teuta ka punuar me shumë zgjuarsi edhe me marrjen e disa lojtarëve. Janë lojtarë që i përshtaten skuadrës në mënyrën e lojës. Kallaku nuk ishte në nivelet e duhura. Forma e tij është e kuptueshme, është djalë i ri.
Pashë që në momentet e para që Teuta, kishte hyrë në fushë për të bërë lojë sulmuese. Një skuadër që hyn vertikalisht. Pati një ngritje shumë të madhe dhe them se një nga pikët kulmore të Teutës ishte futja e Latif. Është i domosdoshëm për skuadrën. I lidh shumë mirë repartet.
Ka një lojë shumë vertikale. Lëvizshmëria e tij e futi shumë mirë në lojë Teutën. Presioni ishte evident. Skuadra ka bërë një hap të sigurt drejt Kupave të Europës, me mendjen që të shkojë me lartë. Pse jo të synojë dhe kampionatin. Sot Teutë është shumë pranë vendit të parë. Partizani, Kukësi kanë bërë gabime. Te Teuta duhet vazhdimësia.