Paulo Fonseca nuk preket. Ishte ky emëruesi i përbashkët i drejtueseve kuqezinj, menjëherë pas mbledhjes së zhvilluar të hënë pasdite në Milanello. Gerry Cardinale pronari i Red Bird dhe Ibra ishin të qartë: Besim i plotë tek trajneri portugez pavarësisht startit jo të mirë të kuqezinjve, të cilët në dy javët e para të Serie A kanë grumbulluar vetëm 1 pikë. Ibra në fakt e kishte bërë të qartë që në ditën e prezantimit të portugezit, që klubi ka nisur një projekt afatgjatë me trajnerin, ndaj rezultatet e dy javëve të para nuk mund kurrsesi të lëkundin pozitat e trajnerit.

Në fakt Milan u mundua të shuante zjarrin me shpejtësi, pasi menjëherë pas humbjes së kuqezinjve në Parma, ishin mediat italiane që afruan pranë stolit të “Djallit” hijen e ish teknikut Max Allegri, i cili u “divorcua” në përfundim të sezonit të shkuar nga Juventusi. Duke qenë një trajner i lirë dhe një figurë e dashur për popullin milanist, për shkak të së kaluarës së tij tek Milan, ai shihet si një alternativë serioze për marrë drejtimin e skuadrës, nëse gjërat do të vijojnë të mos shkojnë mirë.

Milan do të ketë sfida të rëndësishme përpara, që në këtë fundjavë kur udhëton në kryeqytet për t’u përballur me Lazion e dy javë më pas do të jetë edhe derby i Madoninës me Interin. Nëse rezultatet nuk vijnë, pavarësisht besimit që ka Fonseca për momentin nga drejtuesit, situata mund të komplikohet dhe hija e Allegrit mbi stolin kuqezi, mund të kthehet në realitet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: