Bashkia e Tiranës ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike se janë çarë muret dhe ka rënë tavani në godinat e Qytet Studenti.

Denoncimi u bë nga ish-deputetja Oriola Pampuri, ndërsa Bashkia e Tiranës e cilëson të pavërtetë këtë lajm, duke sqaruar se pas tërmetit të fortë të 21 shtatorit, ka pasur dëme minimale në godinat e Qytet Studenti, të tipit plasaritje suvaje.

“Por, sot një fake news i qëllimshëm i medias pranë Partisë Demokratike, nxorri në një konferencë absurde një zëdhënëse të PD, për të mashtruar për herë të dytë brenda ditës shqiptarët. Studentët, por edhe qytetarët e Tiranës, duhet ta dinë se gjatë qeverisjes së PD në vitet 2005-2013, investimi i vetëm i tyre për Qytetin Studenti është lyerja me gëlqere e mureve të godinave dhe asgjë më shumë”, thuhet në reagimin e bashkisë.

DEKLARATË E BASHKISË SË TIRANËS

Nisur nga një lajm i pavërtetë që qarkulloi sot në një media pranë Partisë Demokratike, lidhur me dëmtimin e Godinës nr. 20 në Qytetin Studenti, Bashkia e Tiranës dëshiron të sqarojë se:

Pas tërmetit të fortë të 21 Shtatorit, në Qytetin Studenti ka patur dëme minimale, të tipit plasaritje suvaje, se në shumë ndërtesa në zonën e prekur nga tërmeti. Bashkia e Tiranës kërkoi një verifikim të specializuar të dëmtimeve nga Instituti i Ndërtimit, i realizuar më datë 27 Shtator 2019, i cili konstatoi dëme në rifiniturat e objektit, si plasaritje dhe çarje të suvatimeve, pa probleme për strukturën mbajtëse të godinës.

Bashkëlidhur gjeni edhe aktin e ekspertimit nga Inspektorati i Ndërtimit.

Gjate këtij viti, Bashkia e Tiranes ka investuar dhe ndërhyrë në të gjitha godinat e Qytetit Studenti, për herë të parë që nga viti 1989, kur ato u ndërtuan. Investimet përfshijnë rikonstruksionin, suvatimin, meremetimin dhe lyerjen e 600 dhomave dhe fasadave në 7 konvikte (godina nr. 5, 20, 21, 26, 27, 27, 28) që kapin vlerën e 170 milion lekëve. Po ashtu, me ndihmën e donatorëve janë rikonstruktuar plotësisht 396 nyje sanitare; 335 ambiente higjiene (dushe), nga të cilat 135 janë ambiente të reja në 13 konvikte; si dhe, 13 salla të reja studimi.

Por, sot një fake news i qëllimshëm i medias pranë Partisë Demokratike, nxorri në një konferencë absurde një zëdhënëse të PD, për të mashtruar për herë të dytë brenda ditës shqiptarët. Studentët, por edhe qytetarët e Tiranës, duhet ta dinë se gjatë qeverisjes së PD në vitet 2005-2013, investimi i vetëm i tyre për Qytetin Studenti është lyerja me gëlqere e mureve të godinave dhe asgjë më shumë.

Deklarata e PD është po aq qesharake sa edhe vetë lidershipi i saj, që siç duket ka kapitulluar në dëshpërim të plotë, duke u kthyer në një portal mashtruesish profesionistë, tashme të dënuar edhe nga gjykata, dhe prodhuese fake news-esh.

Bashkia e Tiranës do të vijojë investimet e saj në përmirësimin e kushteve të godinave në Qytetin Studenti dhe me mbështetjen e qeverisë gjermane, do realizojë rivitalizimin total të QS.

8cbd9566 2c34 403b 9aa2 Ade2906e8579
8cbd9566 2c34 403b 9aa2 Ade2906e8579

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb