TIRANE

Kantautorja dhe modelja e njohur, bashkëshortja e ish-Presidentit francez Nicolas Sarkozy, Carla Bruni, do të këndojë në Butrint.
Carla Bruni ka zgjedhur Shqipërinë që të promovojë albumin e saj të pestë, “Prekje franceze”.

Ajo do të jetë e ftuar më 21 qershor, datë që përkon me ditën e ‘Festës së Muzikës’. Ajo do t’i prezantohet publikut me 11 këngë nga albumi i saj më i ri. Është zgjedhur një datë simbolike, 21 qershori, dita e “Festës së Muzikës”.

Lajmin e ka dhënë ish-ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Teknologjinë, Milena Harito, e cila me anë të një postimi në Twitter njofton ardhjen e Carla Brunit në Shqipëri. Ajo ka postuar një video të ish- modeles, e cila lajmeron se më 21 qershor 2019 do të japë një koncert në Butrint.

“Përshëndetje të gjithëve në Shqipëri. Doja t’ju thoja që quhem Carla Bruni e që do të këndoj për ju Ditën e Festës së Muzikës, në teatrin e vjetër të Butrintit në orën 21:00 dhe shpresoj që do të jeni atje”. Carla Bruni është vlerësuar si një nga gratë më të rëndësishme në botë nga revista “Forbes” në vitin 2010.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb