KUÇOVË- Naftëtarët e Kuçovës kanë dalë sot në protestë përpara zyrave të Albpetrolit.
Shkak për protestën është bërë një vendim i marrë për uljen e pagave në masën 60% dhe trajtimin e tyre me pagë lufte, në një kohë kur ata kanë qënë të gjithë në punë 16 orë në ditë.
Ata kërkojnë ndryshimin e menjëhershëm të këtij urdhri të dhënë nga kryeministri, pasi- sipas tyre- qeveria nuk mund t’i trajtojë ata me “paga lufte” në një kohë kur të gjithë kanë qënë pa ndërprerje në punë, gjë që vërtetohet edhe nga një incidenti me vdekje në një pus të naftës të një shoku të tyre 3-javë më parë.
Gjatë protestës dëgjohen thirjet: Zoti kryeministër larg duart nga Kuçova! Kuçova është e kuçovarëve!
Kryetari i Sindikatës së Naftëtarëve në Kuçovë, Sotiraq Kristo, pohon se, pas një takimi të kryer me drejtuesit e Ndërmarrjes së Prodhimit dhe Përpunimit të Naftës në Kuçovë, atyre u është komunikuar ky vendim i marrë. Në këto kushte, ka thënë Kristo, është hartuar një peticion që është firmosur nga të gjithë naftëtarët e Kuçovës dhe ky peticion do ju përcillet drejtuesve më të lartë të Albpetrolit. Kristo ka deklaruar se, nese kërkesa e tyre për ndryshimin e vendimit për moscënimin e pagave nuk merret parasysh, ata do të hidhen ne grevë.
(BalkanWeb)