Pashkët nuk janë vetëm një festë në kalendarin fetar. Janë një thirrje për reflektim, një ftesë për të ndalur hapin dhe për të parë brenda vetes.

Në thelb të kësaj feste nuk qëndron vetëm ringjallja, por një udhëtim i dhimbshëm; padrejtësia ndaj të pafajshmit, heshtja përballë së vërtetës, dhe fitorja e dritës vetëm pasi është gozhduar nga errësira.

Krishti nuk u dënua për mëkatet e Tij, por për ligësinë e të tjerëve. U kryqëzua sepse guxoi të mendonte dhe të fliste ndryshe, të jetonte ndryshe, të sfidonte normën dhe kur vërteta del në dritë, rrallëherë mirëpritet. Përkundrazi, ajo gozhdohet nga ata që betohen për moral, nga buzëqeshjet që fshehin frikë, nga duartrokitjet që lindin prej interesit.

Edhe në realitetin tonë, kryqëzimet nuk mungojnë. Ato nuk ndodhin më në kodrat e Jerusalemit, por në zyrat ku merren vendime të padrejta, në Parlament ku fjala është helmuar dhe kudo ku mashtrimi ngrihet në piedestal. Të drejtët shpesh ndëshkohen. Janë ata që mbajnë barrën e një faji që nuk e kanë, vetëm sepse guxojnë të mos heshtin.

Në këtë shoqëri, si në shumë të tjera, nuk është e vërteta ajo që shpërblehet, por zhurma e turmës. Jo ndershmëria, por servilizmi. Jo sakrifica, por marrëveshja e fshehtë.

Ky vend ka parë shumë forma padrejtësie: nga përdorimi i pushtetit për të ruajtur të privilegjuarit, tek ndëshkimi i atyre që flasin ndershmërisht. Nga politika që përdor besimin për propagandë, tek shoqëria që mban anën e më të fortit, jo të drejtit. Dhe kjo është pikërisht pika ku filozofia e Pashkës bëhet universale; në cilën anë jemi? Jo me fjalë, por me vepra. Në Pashkë kujtojmë sa herë kemi qenë spektatorë të një padrejtësie, sa herë kemi heshtur për të ruajtur rehatinë, sa herë kemi zgjedhur të mbyllim sytë përballë një të vërtete që dhimbte.

Çdo epokë ka Krishtin e vet – atë që sakrifikohet për një ideal. Por ka edhe turmën e saj – atë që hesht, që zgjedh të mos përzihet, që brohoret për atë që është më i zhurmshëm, jo për atë që është më i drejtë.

Ndaj, kjo Pashkë nuk na fton vetëm për lutje apo festë. Na thërret për përgjigje; A jemi me ata që gozhdojnë, apo me ata që ngrejnë zërin? A jemi me dritën që sakrifikohet, apo me errësirën që duartrokitet?

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb