Kreu i Agjencisë Kombëtare të Kadastrës Artan Lame ka prezantuar sot raportin e ASHK dhe ecurinë e punës.
Lame tha se janë dhënë 1 milion e 500 mijë shërbime gjatë vitit 2021 dhe se koha mesatare e dhënies së shërbimit ka qenë 21 ditë, sipas tij rënie drastike e kësaj kohe.
Duke iu drejtuar punonjësve të Kadastrës ai tha se çdo lëvizje e bërë në sistem lë gjurmë dhe apeloi “mos merrni veten më qafë”.
Lame ka reaguar dhe pas deklaratave të kreut të PL Ilir Meta se prona e shqiptarëve është e pasigurt. Ai tha se do t’i përgjigjet me shifra dhe se 250 mijë familje kanë marrë certifikatën e pronësisë për vitin 2022.
Sa i përket institucione shtetërore që janë të paregjistruar, mes tyre edhe Presidenca kreu i Kadastrës tha se që në kohën kur Meta ishte president u ka bërë thirrje që ta regjistrojnë institucionin, por kanë refuzuar.
“Meta deklaroi që prona shqiptareve është e pasigurt se kur vetë presidenca është e paregjistruar merreni me mend se c’bëhet me pronën e shqiptarëve. 250 mijë familje që marrin certifikatën i jep përgjigje. Do i kujtoja Metës që kur ka qenë President i kam bërë thirrje publike ejani të regjistroni Presidencën dhe oborrin për ta shpëtuar nga kafshimet. Nuk u përgjigjën në atë kohë. I kam bërë sërish thirrje presidencës para një muaji për ta regjistruar, jo vetëm për ta shpëtuar nga kafshimet e mëtejshme, po se kur një institucion që është në majën e piramidës së shtetit shqiptar jep shembullin në këtë proces do shërbente si busull për shumë familje e institucionet për të bërë regjistrimin e tyre”, u shpreh ai.
Lame theksoi se po shkon drejt fundit procesi i skanimit dhe digjitalizimit të arkivave. Ai u shpreh se do ketë një sistem të ri elektronik për Kadastrën dhe deri më tani i kanë shpëtuar hakerave, teksa shtoi nëse arkivat digjen, asgjë nuk ndodh.
“Qytetarët shqiptarë mund të shkojnë t’i djegin arkivat e pronave dhe nuk ndodh asgjë, sot po shkon drejt grumbullimit në server, heqja dorë e arkivave fizike. Por shkon drejt fundit procesi i skanimit dhe dixhitalizimit të arkivave. Sistemi është e vërtetë që është i vjetër, po ndërtohet sistemi i ri, që s’ka lidhje me sistemin e vjetër. Do kemi sistem elektronik të ri për Kadastrën, deri tani i kemi shpëtuar hakerave”, tha ai.
Sa i përket ndërtimeve pa leje në Shqipëri, Lame theksoi se do duhet që herë pas herë “t’i bien me dru pas koke personave që shkelin ligjin, që ta kuptojnë se s’duhet ta bëjnë këtë gjë”.
“Sa i përket pallateve të sekuestruara, ata që u janë bërë sekuestro nuk janë dakord. Në Shqipëri herë pas herë do duhet fizikisht, jo vetëm me tabelë, të të bien pas koke me dru që të kuptosh se nuk duhet ta bësh atë gjë, ndërtimin pa leje.
Është e drejta e shtetit që herë pas here të ta kujtojë. Ka pasur ulja drastike të shkeljeve në ndërtime”, tha Lame.
Ai deklaroi gjithashtu se është drejt fundit legalizimi i pallateve të braktisura nga ndërtuesit.