Një shprehje e vjetër thotë se gjërat duhen parë me sy pastaj duhen shijuar e mandej mund të kuptosh të bukurën dhe magjinë në to.
Për Rafalin nga Polonia bregdeti i Kavajës parë nga ballkoni i Prestigj Resort i është dukur aq magjepsës sa mundohet të përzgjedhë fjalët më të bukura që di në anglisht.

“Gjithçka është mrekullueshme. Më pëlqen shumë ky vend. Nuk e di sa zgjat sezoni, por është fantastike”, thotë Rafal Piontek turist nga Polonia.

Ai tregon se si një ditë një miku i tij i foli gjëra të bukura për Shqipërinë dhe kaq mjaftoi që kureshtja dhe dëshira ta shtynin drejt të panjohurës pa ditur se në plazhin e Golemit dhe Malit të Robit do të prekte magjinë me emrin “Prestige Resort”. Madje në këtë vizitë të parë në Shqipëri bashkë me miq të tjerë nga Polonia, Rafali ka marrë me vete dhe bashkëshorten si dhe vajzën e vogël 3-vjeçare.

“Vajza është tre vjeç e gjysmë. Jemi gjashtë veta me pesë fëmijë të cilët i kemi në qendër të vëmendjes. Të gjithë kanë dëgjuar për Shqipërinë por jo si një destinacion turistik. Ka qenë ideja e shokut tim Martin që erdhëm këtu sepse zakonisht shkojmë në Greqi. Ishim në Kroaci pasi udhëtojmë në të gjithë botën. Po kërkonim diçka të re dhe menduam të vijmë në Shqipëri.
Hoteli në veçanti ishte ideja e zyrës turistike. Ne erdhëm dhe jam shumë i befasuar sepse kemi gjithçka, mikpritjen, ushqimi është shumë i mirë, plazhi është fantastik.
Pishina është e pastër dhe kjo është vërtet surprizuese se edhe në Greqi apo kudo tjetër që kemi qenë pishinat nuk janë shumë të pastra, kështu që kjo është një surprizë shumë e këndshme”, thotë Rafali.

Tek krahason Shqipërinë me vendet e shumta që ka vizituar, Rafali arrin të bëjë diferencën, që për të nuk ka të dytë, natyra dhe mikpritja shqiptare.
“Natyra është fantastike. Dielli po më vret. Në fund të ditës jam i mbaruar sepse temperatura është 35 gradë celsius. Po pi ujë me akull që të mbijetoj. Megjithatë keni një mot perfekt. Ia rekomandoj kujtdo ta vizitojë Shqipërinë, sepse keni gjithçka, ushqimin, njerëzit e mirë, motin”, shprehet ai.

Në mendje i ka mbetur lehtësia për t’u njohur dhe hyrë në bisedime me vendasit që thotë se janë shumë miqësorë që në takimin e parë.
“Nuk kemi pasur asnjë problem. Të gjithë janë të sjellshëm. Bëmë një udhëtim, u nisëm këtu pranë hotelit. Ishte ora 11 e natës. Gjithçka shkoi më së miri.
Të gjithë ishin të buzëqeshur. Po na pyesnin se nga jemi, çfarë duam të blejmë, ku duam të shkojmë. Bëmë një shëtitje. Nuk ndjeva asgjë të keqe. Përkundrazi jam befasuar shumë. Gjithçka shkoi shumë mirë”, tregon Rafali.

Pjesë e grupit të madh të turistëve që kanë zgjedhur “Prestige Resort” është edhe Jeroslavi, një biznesmen i njohur në vendin e tij në fushën e ndërtimit.

Teksa bisedojmë shumë miqësisht me të zë e qesh tek kujton sesa pak gjëra dinte për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe sa shumë ka mësuar nga të zotët e shtëpisë për vendin e shqiponjave.
“Vetëm historia e Enver Hoxhës, është ajo çfarë në fakt dimë për Shqipërinë. Ndoshta njerëzit frikësohen se nuk është vend shumë i sigurt, por në fakt tani e kuptoj që është një vend i sigurt me njerëz të mirë. Kemi prenotuar shtatë ditë këtu. Kjo është dita jonë e pestë. Jemi ende në këtë resort i cili na duket shumë i mirë.
Deti Adriatik është i ngrohtë, plazhi me rërë është shumë i mirë për fëmijët pasi mund të luajnë, të bëjnë kështjella me rërë. Pronari i hotelit është shumë i mirë, njerëzit janë shumë të mirë. Po më pëlqen shumë qëndrimi këtu. Të gjithë mendojnë se është një vend i mrekullueshëm”, thotë Jeroslaw Krzeminski, turist nga Polonia.

Tek numërojnë ditët e fundit që u kanë mbetur nga pushimet e këtij viti miqtë tanë polakë thonë se që tani kanë nisur të planifikojnë rikthimin në “Prestige Resort”.
“Kjo është hera ime e parë në Shqipëri por do të vij sërish sepse më pëlqejnë shumë pushimet këtu. Mendoj se në ardhmen do të shndërrohet në një vend shumë popullor për të kaluar pushimet. Për ne që vijmë nga Europa Qendrore nuk mund ta imagjinojmë një mot të tillë. Nuk kemi një mot të tillë. Këtu është vërtet shumë bukur. Nëse jeni kështu gjithë kohës, urime. Patjetër që do të vij sërish”, shprehet Jeroslavi.

Pas një dite tejet dinamike dhe argëtimit miks në det, rërë dhe në pishina, mbrëmja në “Prestige Resort” nis me perëndimin magjik të diellit, për çka komenti është i tepërt. E ndërsa nata nis të bjerë është momenti që të fillojë festa.

Atmosferës elektrizuese që krijojnë valltarët profesionist i shkon shumë për shtat një koktej nga mjeshtri i bareve.

Por surpriza e mbrëmjes është momenti kur të gjithë shqiptarë e të huaj, fëmijë e pleq nisin të kërcejnë nën himnin e kombëtares teksa në duar valëvisin një flamur gjigand kuq e zi.
Dhe nata plotë magji në “Prestige Resort” mbyllet këtu për t’ia lënë vendin të nesërmes plot diell që kushedi se çfarë surprizash të bukura fsheh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb