Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” tha se në Shkodër do të mbahen zgjedhje të pjesshme.

Ai shtoi se ka pasur raste të zgjedhjeve të pjesshme edhe më herët. Balla theksoi se 13 tetori, datë e presidentit Meta për zgjedhje, për PS nuk do të thotë asgjë.

“Nuk është hera e parë që në Shqipëri bëhen zgjedhje të pjesshme. Janë bërë zgjedhje të pjesshme në Dibër dhe në Kolonjë. Partitë garojnë, por është KQZ dhe Presidenti që vendosin. KQZ ka të gjithë autoritetin, pasi kthehet nga puna që të vendosë për datën. Prefekti i Shkodrës ka konstattuar vakancën e krijuar dhe është KQZ që vendos për datën. Data 13 tetor për ne nuk ka kuptim, nuk do të thotë asgjë”, tha Balla.

Taulant Balla nënvizoi se djegia e mandateve nga PD dhe LSI ishte një gabim i pafalshëm i këtyre dy partive politike.

“Ne kemi qenë dhe jemi për bashkëpunim me opozitën. PD dhe LSI në shkurt 2019 bënë një gabim fatal, duke djegur mandatet. Kujtojmë se në parlament kemi një opozitë të re. Besoj se jemi të qartë se në pushtet vihet vetëm me aanë të zgjedhjeve. Nuk mund të vish në pushtet pa fituar zgjedhjet, kjo nuk ndodh asgjëkund”, deklaroi ai.

Sipas Ballës, PS do përpiqet që të bëjë të mundur që në zgjedhjet e 2021, të bëhen zgjedhje, ku vota të numërohet në mënyrë elektronike.

“Në vitin 2021 ne do të mundohemi të rregullojmë infrastrukturën. Ne do përpiqemi që të votohet në mënyrë elektronike dhe kështu edhe votimi bëhet më shpejt. Ne do përpiqemi që edhe shqiptarët që jetojnë jashtë të mund të votojnë”, tha ai.

Taulant Balla shtoi se Kodi Zgjedhor kërkon konsensus, por vlerësoi se në parlament ka 3 grupe parlamentare të opozitës.

“Kodi Zgjedhor kërkon konsensus, por kujtoj se Kodi Zgjedhor miratohet në Kuvendin e Shqipërisë. Kujtoj se ka 3 grupe parlamentare opozitare sot në Kuvendin e Shqipërisë. Ata dhe ne jemi dakord që Shqipëria të ketë një kod të ri zgjedhor. Sa i takon presidentit, kreu i shtetit i ka të përcaktuara me Kushtetutë detyrat e veta”, u shpreh Balla.

Në lidhje me pyetjen se a ka PS përgjegjësi për kandidatët e inkriminuar, Taulant Balla vlerësoi se përgjegjësitë janë vetëm personale, ndërsa ka shtuar se Partia Socialiste ka ngritur një grup pune për hetimin në thellësi të së shkuarës të çdo kandidati apo funksionari të lartë në parti ose në shtet.

Në vitet e shkuara ka pasur kandidatë apo të zgjedhur nga gjitha partitë, që kanë humbur deputetë, kanë humbur mandatin, për shkak të mosdeklarimit në formular të dekriminalizmit, pasi kanë marrë dënime për vepra që nuk lejohet vijimi i detyrës. Për këtë qëllim, kryeministri Edi Rama ka marrë përsipër të ngrejë një grup, u do të konstatohet e shkuara e kandidatëve. Unë i qëndroj deklaratës se përgjegjësia është personale dhe madje edhe penale. Më e mirë është se këta persona ndiqen edhe penalisht, për t’u bërë mësim për këdo. Partia Socialiste nuk ka mbrojtur askënd dhe nuk flet përpara drejtësisë. Parti të tjera sulmojnë drejtësinë, ne nuk e bëjmë”, deklaroi Balla.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb