NGA KLODJANA HAXHIAJ*

DURRËS- Ende mbetet mister fati i dy marinarëve shqiptarë të anijes së peshkimit “Çelepia 2” e cila po mbahet peng nga marinari egjiptian Adel Mohamed Salam në afërsi të Aleksandrisë në Egjipt.

Pengmarrësi Adel Mohamed Salam tashmë thotë se nuk kërkon më lekë, pasi anijen e ka shitur, ndërsa nuk dërgon asnjë foto të kapitenit Dhimitër Malja. Familjarët e të dy marinarëve apelojnë shtetin t’i sjellë shëndoshë e mirë në shtëpi.

Djali i vetëm i kapitenit të anijes Dhimitër Malja, Damiani 25-vjeçar, i bën apel shtetit të ndërhyjë për të liruar pengjet. Ndërsa e cilëson të çuditshëm faktin që egjiptiani nuk sjell një foto të babait të tij, ndryshe nga ç’veproi me Luan Memën

“Duam vetëm një përgjigje. Shteti duhet të ndërhyjë. Jemi në ankth. Salam nuk sjell foto të babait dhe kjo është e çuditshme”, ka thënë 25-vjeçari.

Djali i pronarit të anijes Florian Çelepija në një intervistë për News 24 deklaroi se ka vijuar bisedën me marinarin egjiptian, kërkesat e të cilit janë të pakuptimta

Çelepia deklaron se shteti nuk po lëviz, ndërkohë që vendndodhja e anijes dihet.

“Salam s’e di se çfarë kërkon. Tashmë thotë që ka shitur anijen. Shteti merret me letra, anija 1 orë larg”, tha Çelepija.

Ndërkaq hetimet janë duke u zhvilluar nga sektori i krimeve të rënda në policinë e Durrësit për pengmarrje e shantazh. Deri tani nuk dihet si do të veprohet pasi pengmarrja ka ndodhur në Shqipëri e ngjarja ka dalë jashtë kufijve të territorit të republikës.

Kjo është një pjesë e bisedës së shkëmbyer mes egjiptianit dhe pronarit të anijes. Ndërsa nën një foto të dytë të dërguar nga Salam, duket marinari Luan Mema teksa punon brenda anijes

NGJARJA
Denoncimi për humbjen e anijes është bërë nga vetë pronari Murat Çelepia, i cili u paraqit pranë Policisë Kufitare në Durrës, duke deklaruar se ka humbur kontaktet me anijen që prej mesnatës së 21 qershorit.

Anija është nisur nga porti i Durrësit më datë 18 qershor, me kapiten Dhimitër Malja, 54 vjeç, marinarin shqiptarë Luan Mema nga Durrësi dhe marinari egjiptian Adel Mohamed Salam, 30 vjeç, që rezultoi të jetë pengmarrësi. Anijes ju dha leje nga autoritetet portuale për gjueti në ujërat e brendshme territoriale, por akti ekstrem i shtetasit egjiptian tashmë ka vënë në rrezik jetën e dy marinarëve shqiptarë.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: