TIRANË-“Këndvështrime” mban emrin ekspozita e çelur pasditen e sotme në hollin e Kryeministrisë, ku përfshihen 52 punime të artistëve shqiptarë, që në fokus kanë tematikën e luftës çlirimtare, por dhe periudhën e diktaturës.

E çelur në ditën e 70-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, ekspozita, përmes artit pamor dhe instalacioneve synon të mbajë gjallë kujtesën historike.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e cilësoi ekspozitën ‘një ftesë për t’iu qasur historisë përmes këndvështrimit artistik’.

“70 vjet pas përfundimit të Luftës Antifashiste në Shqipëri nuk është e lehtë të shquajmë dy periudha: atë të historisë së luftës së drejtë dhe atë të diktaturës së egër të pasluftës, të cilat dhe pse të lidhura logjikshëm kanë të drejtën kronologjike, por dhe historike që të ndahen e të kqyren si të mëvetësishme, pa harruar se ajo që i bashkon fort është kujtesa”, theksoi ministrja në fjalën e mbajtur në ceremoni ë e çeljes së ekspozitës.

Pjesa e parë e punimeve të prezantuara në ekspozitë sjell Luftën Çlirimtare, sipas këndvështrimit të ideologjisë së viteve që pasuan, duke lënë gjurmë që nuk u zhdukën. Ndërsa pjesa e dytë përqëndrohet tek vepra e artistëve shqiptarë dhe të huaj, e krijuar pas vitit 1990, duke krijuar një përballje stilistike dhe shprehimore me veprat e pjesës së parë.

Kuratorët e kësaj ekspozite janë artistët, Artan Shabani, njëherazi drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve dhe piktori Fani Zguro. Ajo do të qëndrojë e hapur deri më 5 dhjetor.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb