Sot nisi punimet trajnimi “Inteligjenca Artificiale në Zgjedhje” i organizuar nga International IDEA dhe financuar nga Microsoft dhe OpenAI, me mbështetjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë.
Trajnimi do të zhvillohet përgjatë tre ditëve dhe marrin pjesë zyrtarë të trupave zgjedhore dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Armenia, Ukraina, Bosnje dhe Hercegovina.
Qëllimi i këtij programi trajnimi është të pajisë zyrtarët zgjedhorë dhe organizatat e shoqërisë civile me një kuptim të thelluar të AI-së, duke theksuar implikimet e saj etike dhe të të drejtave të njeriut në administrimin zgjedhor.
Programi synon të eksplorojë si përfitimet ashtu edhe rreziqet e AI në proceset zgjedhore, me fokus të veçantë në mbrojtjen e grupeve të cënueshme dhe të margjinalizuara.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi e cilësoi aktivitetin unik për nga tema që trajton, koha kur zhvillohet, vendi ku zhvillohet dhe më shumë akoma për faktin se vetë OpenAI dhe Microsoft janë mbështetës të këtij aktiviteti.
Komisioneri nënvizoi faktin se pavarësisht se përdorimi i Inteligjencës Artificiale në zgjedhje është ende në fazat e para, mundësitë që IA ofron në menaxhimin zgjedhor janë të mëdha.
“IA mund të ndihmojë në luftimin e problemeve në rritje të dizinformimit gjatë zgjedhjeve. Duke analizuar përmbajtje në internet, algoritmet e IA mund të identifikojnë dhe sinjalizojnë shpërndarjen e informacionit të rremë, duke siguruar që votuesit të marrin informacion të besueshëm. Gjithashtu, chatbot-et e fuqizuar nga IA mund t’u përgjigjen pyetjeve të votuesve me saktësi dhe shpejtësi, duke i ndihmuar ata gjatë procesit zgjedhor. Ndër të tjera, aplikimet i rendisin informacionet në IA dhe e analizon edhe të dhënat zgjedhore. IA në volumet e mëdha të të dhënave mund të identifikojë parregullsitë të mundshme. Këto përdoreshin për të përmirësuar transparencën dhe për të forcuar besimin në publik”, tha ai.
Gjatë 3 ditëve të trajnimit, pjesëmarrësit do të mësojnë se si të implementojnë efektivisht zgjidhjet AI brenda kuadrit të qeverisjes demokratike, duke siguruar që teknologjia të forcojë dhe jo të minojë integritetin e menaxhimit zgjedhor. Zyrtarët zgjedhorë do të mund të fitojnë njohuri në pesë tema kyçe: Bazat e AI, Etika e AI dhe të Drejtat e Njeriut, AI dhe Zgjedhjet.
Teksa inteligjenca artificiale (AI) ka pësuar një rritje eksponenciale në shumë sektorë, roli dhe aplikimi i saj në administrimin zgjedhor mbetet kryesisht i paeksploruar. Teknologjitë AI kanë potencial të rëndësishëm të pashfrytëzuar për të përmirësuar efikasitetin, drejtësinë, përfshirjen dhe besueshmërinë e proceseve zgjedhore.
Për të siguruar potencialin e AI në të mirë të demokracisë, International IDEA ka publikuar një raport mbi “Inteligjencën Artificiale për Menaxhimin Zgjedhor”, i cili analizon rreziqet e lidhura dhe paraqet strategji të mundshme për lehtësimin e ndikimeve potencialisht negative të teknologjive.
Duke u bazuar në këtë raport, International IDEA tani po zhvillon një program të strukturuar trajnimi dhe dialogu për edukimin e aktorëve zgjedhorë në pesë rajone – Azia-Paqësori, Ballkani Perëndimor, Amerika Latine dhe Afrika.