Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ka qënë në Shkodër ku është takuar me drejtues vendor të të gjithë qarkut në kuadër të turit informues me bashkitë e vendit, pas çeljes së aplikimeve për paraqitjen e projekteve nga njësitë vendore në kuadër të Mbrojtjes Civile.
Në takimin, ku morën pjesë drejtues të 5 bashkive të Qarkut dhe Prefektja Majlinda Angoni, ministri Vengu vlerësoi këtë mundësi që i ofrohet bashkive për të përfituar për fonde në mënyrë direkte për emergjencat civile.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako ka treguar edhe disa prej risive të kësaj thirrje.
Kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci, në fjalën e tij u ndal tek nevoja e ndërhyrjeve që duhet të bëjnë vetë bashkitë siç është rasti i pastrimit të kanaleve kulluese apo edhe ndërhyrja që ka nisur një ditë më parë bashkia Shkodër në lirimin e hapësirave të zëna nga kolektorët që kanë një impact të drejtëpërdrejtë tek banorët.
Katër fushat, në të cilat Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u kërkon bashkive në të gjithë vendin që të paraqesin projektet e tyre janë: Investimet në infrastrukturë, blerja e automjeteve për përdorim të veçantë, makineri teknologjike dhe mjete rrugore të veçanta, të përcaktuara si të tilla sipas parashikimeve të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, rehabilitimin e digave dhe ndërtimi i urave Bailey.
(Balkanweb)