Shqipëria ka çelur sot negociatat me BE për grup-kapitullin e parë të negociatave. Kjo ngjarje që konsiderohet si një arritje historike apo e shënuar është diskutuar në rubrikën Opinion në News24.

Romina Kuko, Sekretare e Marrëdhënieve me Jashtë në Partisë Socialiste ka deklaruar se ky është një lajm shumë i mirë për shqiptarët, shënon moment progresi të pakthyeshëm.

Ndërkohë ish- ambasadori Agim Nesho u shpreh skeptik, duke shtuar se shpreson që ky të mos jetë fillimi i fundit të këtij procesi.

Ish-ambasadori  Jorgji Kote tha se duhet të gëzohemi, pasi është një ditë e mbarë për Shqipërinë.

“Pas 10 viteve si vend kandidat  dhe pas 4 viteve për hapjen e negociatave, sot u çelën negociatat për grup kapitullin e parë që është më i rëndësishmi, ndaj edhe BE i rikthehet këtij kapitulli në fund të procesit. Është një arritje e shënuar, që të mos themi historike”, tha Kote.

Pjesë nga diskutimi:

Romina Kuko: Lajm shumë i mirë për shqiptarët, shënon moment progresi të pakthyeshëm. Jemi shumë konkretë po negociojmë konkretisht me BE.

Agim Nesho: Duhet rritur përgjegjësia e institucioneve dhe shtetit. Hapja e negociatave historike, uroj me gjithë shpirt të mos jetë fundi i një procesi, sepse të gjitha kërkesat që janë bërë në kornizën që ka nxjerrë BE 2 vite më parë, janë përcaktuar qartë detyrat e çdo vendi që aspiron të futet dhe a i ka realizuar.

Ai mungon Shqipërisë vullneti politik? Në shumicën e gjërave, jemi shumë larg. Ndaj është diçka shumë e mirë por shpresoj të mos jetë fillimi dhe njëkohësisht edhe fundi i procesit.

Romina Kuko: Skepticizmi i ambasadorit është i drejtë. Është vendim i vonuar. Duhet të kishim marrë ftesën që në 2018, por për shkak të disa vendeve që ngurronin t’i thonin qytetarëve të tyre që BE po shkonte drejt zgjerimit, kjo është shtyrë.

Agim Nesho: Ne jetojmë në një regjim, nuk ka të bëjë me demokracinë shqiptare. Qytetarët nuk duhen gënjyer

Romina Kuko: Shqiptarëve duhet ti themi se cila është perspektiva e tyre. Është një flamur i bardhë, në fund fare, kur të na ftojnë që të jemi pjesë e BE-së, ne duhet të jemi të gjithë bashkë, ne duhet të jemi si ekip të përbashkët.

Agim Nesho: Pa ndryshimin e elitave nuk mund të futemi në BE, keni një satrap atje që ka 11 vite…

Romina Kuko: Po të ishte satrap nuk do të ishte ftuar për të hapur negociatat, mos përdorim këto epitete

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb